Dolly Parton, trashëgimia e një legjende të vërtetë

Ka shitur mbi 100 milionë disqe, ka kryesuar klasifikimet me 9 albume dhe 25 këngë dhe ka ndryshuar përgjithmonë historinë e muzikës country. Gjenerata të tëra artistësh, nga Miley Cyrus te Taylor Swift, e kanë konsideruar një pikë referimi, ndërsa një prej zërave më të mëdhenj të historisë së muzikës, Whitney Houston, i detyrohet asaj një prej sukseseve më të famshme të karrierës.
Dolly Parton është ndarë nga jeta në moshën 80 vjeçare, vetëm katër ditë pasi kishte deklaruar: “Kam ende shumë gjëra që dua të realizoj”.
Lajmin e bëri publik nipi i saj, Brian Seaver, përmes një videoje të publikuar në Instagram më 25 gusht.
“Unë jam Brian Seaver, djali i Cassie Parton, dhe sot, në emër të familjeve Parton dhe Owens, njoftoj ndarjen nga jeta të tezes sime, Dolly Rebecca Parton Dean, motër, gjyshe për një brez dhe Gigi për brezin tjetër”, tha ai.
Seaver tregoi se Dolly i kishte kërkuar vite më parë që, kur të vinte momenti, të ishte pikërisht ai që ta bënte publik njoftimin.
“Është një nder, i përzier me krenari të jashtëzakonshme dhe trishtim të madh. Por trishtimi është yni, jo i Dolly. Dolly jetoi në dritë dhe tani është në krahët e Jezusit, me siguri e mirëpritur nga Carl, prindërit e saj dhe shumë të tjerë që e kanë dashur.”
Një jetë që dukej më e madhe se vetë muzika
Këngëtare, autore, aktore, sipërmarrëse, filantrope dhe një nga mbështetëset më të njohura të komunitetit LGBTQ+ dhe të programeve për alfabetizimin e fëmijëve, Dolly Parton ishte gjithmonë plot kontraste.
Mund të ishte femme fatale dhe njëkohësisht autore me thellësi. Ekstravagante në pamje dhe krejtësisht autentike në mënyrën si fliste. Bionde me flokë të mëdhenj, grim të fortë dhe fustane me shkëlqim, por edhe një grua jashtëzakonisht e zgjuar që e kishte kuptuar shumë herët fuqinë e imazhit dhe mënyrën si mund ta përdorte atë në favor të saj.
“Unë e shoh kështu: nëse do ylberin, duhet të durosh shiun”, kishte thënë dikur për filozofinë e saj të jetës.
Për suksesin shprehej: “Të jesh yll do të thotë të kesh gjetur vendin tënd të veçantë, atë vend ku mund të shkëlqesh.”
Ndërsa stereotipet për pamjen e saj i trajtonte me humorin tipik që e karakterizonte: “Nuk ofendohem kur më quajnë bionde budallaqe, sepse e di që nuk jam budallaqe. Dhe gjithashtu e di që nuk jam bionde.”
Kjo ishte Dolly. E aftë të qeshte me karikaturën që njerëzit kishin ndërtuar për të, ndërsa e kontrollonte vetë atë karikaturë deri në detajin e fundit.
Nga varfëria në Tennessee te “Jolene”
Dolly Parton lindi në Tennessee në vitin 1946, e katërta nga 12 fëmijët e një familjeje me të ardhura modeste.
Por që e vogël ëndërronte shumë më tepër sesa i lejonte realiteti ku ishte rritur. Donte të këndonte dhe, siç do të shprehej më vonë, donte të ishte “një yll, jo një figurante”.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, dhe pasi kishte pasur eksperiencat e para në radio e madje kishte regjistruar muzikë që pa mbushur dhjetë vjeç, u largua drejt Nashville për të provuar fatin.
Në vitin 1965 firmosi me Monument Records dhe gradualisht filloi të ndërtonte identitetin e saj artistik. Por kthesa e madhe erdhi kur këngëtari Porter Wagoner e ftoi në televizion dhe nisi me të një bashkëpunim që zgjati deri në vitin 1974.
Pastaj erdhi momenti kur Dolly nuk kishte më nevojë të prezantohej përmes askujt.
Në vitin 1973 publikoi “Jolene”.
Në këngë, një grua i lutet një tjetre të mos ia marrë burrin. Nuk ka zemërim, nuk ka hakmarrje, por një cenueshmëri pothuajse brutale. Pikërisht kjo e bëri këngën universale.
Më pas erdhi “I Will Always Love You”, një tjetër prej krijimeve të saj më të mëdha, që në vitin 1992 do të merrte një jetë të re me interpretimin e Whitney Houston dhe do të shndërrohej në një nga baladat më të famshme të historisë së popit.
Nga country te pop dhe Hollywood
Edhe pse lindi artistikisht brenda country, Dolly nuk qëndroi kurrë brenda një kutie.
Eksperimentoi me popin, folkun dhe rock-un dhe në vitet ’80 hyri edhe në kinema. Luajti përkrah Jane Fonda në “9 to 5”, film për të cilin shkroi edhe këngën me të njëjtin titull.
“9 to 5” u bë shumë më tepër sesa një kolonë zanore. Ishte një himn për miliona gra që punonin mes ambicies, lodhjes dhe frustrimeve të një sistemi profesional që shpesh nuk i trajtonte në mënyrë të barabartë.
Dolly ndërtoi edhe Dollywood, parkun e famshëm në Pigeon Forge, në Smoky Mountains të Tennessee.
I hapur në vitin 1986, ai kombinonte origjinën e saj, kulturën lokale dhe dashurinë për muzikën. Me miliona vizitorë çdo vit, Dollywood u bë jo vetëm një monument i suksesit të saj, por edhe një burim ekonomik për zonën dhe një mënyrë për të financuar projekte për fëmijët dhe të rinjtë.
“Nuk kisha para të shkoja në Disneyland kur isha e vogël, kështu që ndërtova një timin”, kishte thënë me humor.
Dhe, në stilin më tipik Dolly Parton, ajo e bëri vërtet.
Dashuria e një jete me Carl Dean
Pas gjithë ekstravagancës publike të Dolly, historia e saj e dashurisë ishte çuditërisht private.
Carl Dean, bashkëshorti i saj për pothuajse gjashtë dekada, zgjodhi gjithmonë të qëndronte larg kamerave. Marrëdhënia e tyre nisi kur Dolly ishte vetëm 18 vjeçe dhe sapo kishte mbërritur në Nashville.
Ata qëndruan bashkë deri në vdekjen e tij në vitin 2025.
“Fjalët nuk mund t’i bëjnë drejtësi dashurisë që kemi ndarë për më shumë se 60 vjet”, shkroi ajo pas humbjes së tij.
Edhe “Jolene” kishte një lidhje me Carl. Kënga u frymëzua pjesërisht nga një grua flokëkuqe që kishte flirtuar me të në praninë e Dolly.
Në vitin 2023, ajo i kushtoi atij albumin “Rockstar”, duke bashkëpunuar me disa prej yjeve të rock-ut që Carl adhuronte.
Gruaja që u bë “nënë” për shumë të tjerë
Dolly nuk pati fëmijë, por gjatë viteve foli hapur për këtë zgjedhje dhe për mënyrën si e kishte kuptuar jetën e saj.
“Besoj se Zoti nuk donte që unë të kisha fëmijë, që fëmijët e të gjithëve të mund të ishin të mitë. Sepse po të mos kisha pasur lirinë për të punuar, nuk do të kisha bërë të gjitha gjërat që kam bërë”, i tha Oprah Winfrey në vitin 2020.
Ajo u bë kumbara e Miley Cyrus dhe mbështeti vazhdimisht artistet më të reja, nga Taylor Swift te Sabrina Carpenter, në një industri që shpesh i ka vendosur gratë kundër njëra tjetrës.
Por trashëgimia e saj shkon shumë përtej muzikës.
Përmes Imagination Library, programit të krijuar për t’u shpërndarë libra falas fëmijëve, përmes projekteve filantropike, investimeve në Tennessee dhe mbështetjes së kauzave sociale, Dolly e përdori famën në mënyrën që ajo e kuptonte më mirë: si një mjet për të bërë diçka që mbetet.
Ajo vazhdoi të punonte dhe të shfaqej në publik deri në muajt e fundit të jetës. Dhe ndoshta fjalia e saj e fundit, vetëm katër ditë para vdekjes, e përmbledh më mirë se çdo nekrologji:
“Kam ende shumë gjëra që dua të realizoj.”
Dolly Parton u largua kështu siç kishte jetuar, me dëshirën për të bërë ende diçka tjetër.
Dhe ta quash thjesht “legjendë” ndoshta nuk mjafton. Sepse Dolly nuk ndryshoi vetëm muzikën country. Ajo krijoi një mënyrë krejt të vetën për të qenë grua, artiste, biznesmene dhe personazh publik, pa kërkuar kurrë falje për faktin se ishte shumë.
Shumë bjonde, shumë e shkëlqyer, shumë e zhurmshme, shumë ambicioze, shumë sentimentale.
Dhe pikërisht për këtë, e papërsëritshme.



