Dating online: 3 gabime në profil që mund të tërheqin njerëzit e gabuar

Nuk duhet t’u pëlqesh të gjithëve. Duhet të të dallojnë njerëzit që janë vërtet për ty.
Ky është ndoshta parimi më i mirë nga i cili mund të nisësh kur krijon një profil në një dating app, ku disa sekonda, një foto ose një fjali mund të vendosin nëse dikush do të ndalet te ti apo do të kalojë më tej.
Por përpjekja për të bërë përshtypje me çdo kusht mund të prodhojë efektin e kundërt.
Sipas një analize të publikuar nga Psychology Today, mënyra si prezantohemi online nuk ndikon vetëm te sasia e vëmendjes që marrim, por edhe te lloji i njerëzve që tërheqim dhe te ideja që krijojnë për atë që po kërkojmë.
Ja cilat janë tre gabimet më të zakonshme.
Të mbështetesh vetëm te sensualiteti
Foto shumë seksi mund të sjellin më shumë shikime apo komplimente, por mund të ndikojnë edhe në mënyrën si të perceptojnë të tjerët.
Sipas ekspertëve të cituar, një profil shumë i fokusuar te sensualiteti mund të lexohet si më i orientuar drejt njohjeve casual dhe më pak drejt një marrëdhënieje afatgjatë.
Kjo nuk do të thotë se duhet të fshihesh apo të shmangësh fotot ku ndihesh tërheqëse.
Çështja është që profili të tregojë më shumë se një dimension tëndin.
Një foto ku dukesh bukur mund të bashkëjetojë shumë mirë me një tjetër që tregon një interes, një moment spontan apo diçka nga mënyra jote reale e jetesës.
Të shkruash shumë pak ose shumë në bio
Dy fjalë të thata mund të japin përshtypjen se nuk je shumë e investuar në proces.
Nga ana tjetër, një bio që tregon gjithë historinë e jetës mund të jetë po aq e pafavorshme.
Qëllimi nuk është të thuash gjithçka menjëherë, por të japësh aq sa duhet për të ndezur kuriozitetin.
Një bio e mirë lë hapësirë për pyetje, për bisedë dhe për njohje graduale.
Autenticiteti nuk do të thotë ekspozim total.
Nuk është e nevojshme t’i tregosh një të panjohuri që në profil plagët, traumat, historinë e marrëdhënieve apo detaje shumë intime.
Kufijtë janë po aq pjesë e autenticitetit sa sinqeriteti.
Të listosh cilësi në vend që të tregosh personalitetin
“Jam pozitive, më pëlqen të udhëtoj dhe të shkoj në koncerte.”
Problemi? Mund ta shkruanin mijëra njerëz.
Cilësitë e deklaruara janë abstrakte. Historitë janë më konkrete.
Një anekdotë e vogël, një detaj ironik, një foto spontane ose një fjali që tregon mënyrën si mendon mund të thotë shumë më tepër për ty sesa një listë me mbiemra.
Në vend që të shkruash “jam spontane”, trego diçka që e provon.
Në vend që të shkruash “më pëlqen të udhëtoj”, thuaj cili ka qenë udhëtimi yt më absurd apo qyteti ku do të ktheheshe nesër.
Profili mund të zbulojë edhe modelet tona emocionale
Sipas psikoterapistes Loredana Musella, në dating nuk zgjedhim gjithmonë vetëm atë që duam.
Shpesh tërhiqemi edhe nga ajo që na është emocionalisht e njohur.
Kjo do të thotë se dikush mund të thotë se kërkon stabilitet, por të ndërtojë një profil që komunikon disponueshmëri për marrëdhënie të paqëndrueshme ose të kërkojë vazhdimisht njerëz që i japin të njëjtën ndjesi pasigurie që ka përjetuar më parë.
Po kështu, frika nga refuzimi mund ta shtyjë dikë të kërkojë më shumë konfirmim sesa përputhshmëri reale.
Dhe këtu hyn një nga kurthet më të zakonshme të dating online: të ndërtosh një histori të tërë mbi shumë pak informacion.
Një foto e bukur.
Një punë interesante.
Një bio inteligjente.
Dhe papritur mendja ka krijuar një version të plotë të personit.
Por një profil nuk është prova e një match-i perfekt.
Më mirë të ndash atë që shikon nga ajo që po imagjinon.
Në vend që të pyesësh vetëm “sa më pëlqen?”, pyet edhe: “si më bën të ndihem?”
Sepse tërheqja e fortë nuk është gjithmonë e njëjtë me përputhshmërinë.
Autenticitet, por me kufij
Psikoterapistja Elisa Stefanati thekson se të tregosh veten online nuk do të thotë të dorëzosh menjëherë gjithë historinë tënde.
“Autenticiteti ka nevojë edhe për kufij.”
Mund të tregosh interesat, vlerat, humorin dhe mënyrën si e sheh botën, ndërsa pjesët më intime të vetes mund t’i lësh për një fazë kur njohja është bërë më solide.
Edhe këtu, pyetja kryesore ndryshon.
Jo vetëm: “Si të bëj që të më pëlqejnë?”
Por: “Çfarë po kërkoj?”
Sepse qëllimi i dating app-eve nuk është të mbledhësh sa më shumë match-e.
Është të rritësh shanset për të takuar dikë me të cilin ekziston realisht përputhshmëri.
Dhe në këtë kuptim, pesë match-e të mira vlejnë shumë më tepër se njëqind kontakte që nuk të çojnë askund.



