Çiljeta Xhilaga flet për dëshirën për një fëmijë me Albanin: “Prej pesë vitesh e duam, kam menduar edhe in vitro”

Çiljeta Xhilaga ka folur hapur për një dëshirë të saj dhe të partnerit, Alban Hoxha, që prej vitesh ende nuk është realizuar: të kenë një fëmijë së bashku.
E ftuar në “Pardon My French” në Top Albania Radio, artistja tregoi se prej pesë vitesh ajo dhe Albani kanë menduar zgjerimin e familjes, ndërsa së fundmi Çiljeta ka konsideruar edhe mundësinë e fertilizimit in vitro.
“Unë kam pesë vjet me Albanin që donim dhe duam që të kemi një fëmijë”, tregoi ajo.
Madje, për këtë vit kishte vendosur përpara vetes dy alternativa krejt të ndryshme. Njëra ishte të niste procedurën e fertilizimit in vitro, me dëshirën për të pasur binjakë, ndërsa tjetra të kryente disa ndërhyrje estetike.
“Kisha menduar që në maj ose do të bëja një in vitro, do bëja dy binjakë, ose do të bëja një operim dhe të thithja barkun, të kthehesha dhe njëherë e dobët”, rrëfeu Çiljeta.
Sipas saj, mundësia e IVF nuk është një vendim i momentit. Artistja tregoi se prej rreth tre vitesh është në kontakt me një mjek për këtë proces, por vazhdimisht e kishte shtyrë.
“Doktori i in vitro-s ka tre vite që më pret dhe unë nuk bëhesha kurrë mbarë për të ikur”, tha ajo.
Çiljeta tregoi gjithashtu se besimi i saj ka ndikuar në mënyrën se si e ka përjetuar pritjen. Për një kohë të gjatë kishte preferuar t'ia linte shtatzëninë natyrës, duke menduar se ajo do të vinte kur trupi i saj të ishte gati.
“Jam shumë besimtare dhe mendoja që Zoti kur do, ta jep vetë. Gjithmonë kam menduar që Zoti nuk po e jep sepse ndoshta trupi im nuk është në nivelin e duhur ose gati për të pasur një tjetër shtatzëni.”
Artistja foli edhe për insulinorezistencën, për të cilën tha se po trajtohet prej vitesh dhe që e konsideron një nga çështjet shëndetësore që ka ndikuar në planet e saj për një shtatzëni tjetër.
Ndërkohë, këtë vit Çiljeta zgjodhi të kryente liposuksion dhe zvogëlim të gjoksit, duke e shtyrë për më vonë vendimin për IVF.
“Kam kohë vitin tjetër, ta shijoj pak këtë vit”, tha ajo.
Çiljeta është tashmë nënë e Fernandos, ndërsa Alban Hoxha ka gjithashtu një djalë nga marrëdhënia e mëparshme. Por pas pesë vitesh së bashku, çifti vazhdon të ketë një dëshirë të përbashkët: të sjellë në jetë edhe një fëmijë të tyrin.



