Chris Rock: “Do të rikthehem në Oscars vetëm me një kusht”

Chris Rock thotë se do të rikthehej në ceremoninë e Oscars vetëm me një kusht: nëse do të ishte vetë në garë për një çmim.
“Nuk do të nominohem. E vetmja mënyrë që të kthehem është nëse jam i nominuar, dhe nuk mendoj se do të ndodhë”, tha komediani 61 vjeçar në një intervistë për Variety.
“Dhe kjo është në rregull. Do merremi me të nëse ndodh. Le t’i mbajmë pritshmëritë nën kontroll”, shtoi ai.
Deklarata vjen katër vite pas incidentit që shënoi një nga momentet më të diskutueshme në historinë e Oscars, kur Will Smith e goditi me shuplakë në skenë gjatë ceremonisë së vitit 2022.
Rock po prezantonte një çmim kur bëri një shaka për kokën e rruar të Jada Pinkett Smith. Aktorja ka folur publikisht prej vitesh për alopecinë. Smith u ngjit në skenë dhe e goditi komedianin, ndërsa pak më vonë fitoi Oscar-in si Aktori më i Mirë për King Richard.
Pas incidentit, Smith u ndalua të merrte pjesë në eventet e Akademisë për 10 vjet.
Chris Rock nuk është rikthyer në Oscars që prej asaj nate.
I pyetur sot si e sheh incidentin, Rock tha se preferon të mos i japë më shumë peshë.
“Do të doja që asgjë të mos kishte ndodhur.”
Ai shtoi se nuk dëshiron që biseda rreth shuplakës të marrë vëmendjen nga filmi i tij i ri, Misty Green, të cilin e ka edhe si regjisor.
“Nuk dua të them asgjë që t’i heqë vëmendjen Rosalind Eleazar dhe punës së mrekullueshme që ka bërë në këtë film.”
Rock e vendosi gjithashtu ngjarjen në një perspektivë më të gjerë.
“Jetojmë në një botë të çmendur. Kalojmë pranë njerëzve të pastrehë. Po ndodhin kaq shumë gjëra. Fakti që unë pata një ditë të keqe nuk është gjëja më e madhe në botë. Nuk është aq e rëndësishme.”
Nuk e sheh veten më si prezantues të Oscars
Chris Rock e ka prezantuar ceremoninë e Oscars dy herë, në vitet 2005 dhe 2016, ndërsa gjatë karrierës ka dalë disa herë në skenën e Academy Awards si prezantues çmimesh.
Por sot duket se nuk e sheh më veten në rolin e host-it.
Kur u pyet nëse do ta prezantonte përsëri ceremoninë, Rock tha se nuk dëshiron të japë përgjigje që mund të duken si mungesë respekti ndaj personave që e kanë atë rol sot.
“Kur njerëzit u përgjigjen këtyre pyetjeve, është pak mungesë respekti ndaj atyre që e kanë marrë punën. Ka prezantues shumë të mirë. Conan O’Brien është fantastik. Nikki Glaser është fantastike në Golden Globes.”
“Nuk po them kurrë, por sinqerisht mendoj se koha ime mund të ketë kaluar.”
Rock ka folur më drejtpërdrejt për shuplakën në specialin e tij të Netflix në vitin 2023, ku insistoi se nuk e konsideronte veten viktimë.
“Nuk do të më shihni kurrë tek Oprah apo Gayle duke qarë. Nuk do të ndodhë”, tha atëherë.
Ai bëri shaka se e kishte përballuar goditjen si një boksier.
“A dhembi? Po, sigurisht që dhembi.”
Will Smith kërkoi falje publikisht një ditë pas ceremonisë së Oscars.
“Isha jashtë kontrollit dhe gabova”, shkroi aktori në rrjete sociale. “Më vjen turp dhe veprimet e mia nuk përfaqësojnë njeriun që dua të jem. Nuk ka vend për dhunë në një botë dashurie dhe mirësie.”
Katër vite më vonë, Rock duket se nuk ka interes ta rikthejë incidentin në qendër të narrativës së tij.
Dhe për Oscars, përgjigjja është po aq e thjeshtë: do të kthehet vetëm nëse këtë herë ka një arsye për të qenë aty si i nominuar.



