Charlize Theron për marrëdhëniet toksike: “Prej tyre të nxjerrin vetëm mikeshat e vërteta”

Nga Class 31 August 2026

dc83a271-f140-4cfd-95b1-82012058584b.jpg

Charlize Theron ka folur hapur për mënyrën se si përvojat e dhimbshme të fëmijërisë ndikuan për vite me radhë në marrëdhëniet e saj dhe se si, në momentet më të vështira, ishin mikeshat e saj ato që e ndihmuan të dilte nga lidhjet që po e dëmtonin.

Aktorja ka treguar disa herë se fëmijëria e saj në Afrikën e Jugut u shënua nga alkoolizmi dhe dhuna e të atit. Në vitin 1991, gjatë një episodi veçanërisht të rëndë, ai qëlloi me armë drejt derës së dhomës ku Charlize dhe e ëma ishin strehuar. Nëna e aktores e vrau më pas në vetëmbrojtje.

Kjo përvojë, sipas Theron, nuk mbeti thjesht një kujtim i largët, por ndikoi për shumë vite edhe në mënyrën se si ajo ndërtonte marrëdhëniet me të tjerët.

Në një intervistë për podcastin “Call Her Daddy” të Alex Cooper, aktorja shpjegoi se për një kohë të gjatë kishte prirjen të vendoste nevojat dhe mirëqenien e të tjerëve përpara vetes.

“Dikur isha një nga ata njerëz që, sapo hynin në një marrëdhënie, zhduknin veten”, tregoi ajo.

Theron pranoi se e kishte të natyrshme të merrte rolin e personit që kujdesej për të tjerët, që i kuptonte, i justifikonte dhe përpiqej t’i shpëtonte. Por pikërisht kjo mënyrë e të dashuruarit e kishte çuar edhe në marrëdhënie ku humbiste gjithnjë e më shumë nga vetja.

Kur u pyet se çfarë e kishte ndihmuar të dilte nga ato dinamika, përgjigjja e saj ishte e menjëhershme.

“Mikeshat. Mikeshat e mira. Dhe tani po më vjen të qaj. Thjesht, mikeshat e mira. Sepse kur je brenda një situate të tillë, ndonjëherë nuk arrin ta shohësh qartë.”

Sipas Theron, një mike e vërtetë nuk është domosdoshmërisht ajo që të përplas të vërtetën në fytyrë dhe pret që të largohesh menjëherë.

“Ke nevojë për një mike që nuk të tund nga supet duke të detyruar ta shohësh të vërtetën, sepse nuk do të largohesh derisa ta shohësh vetë. Një mike e mirë e kupton këtë. Prandaj qëndron. Ecën pranë teje ndërsa ti kalon nëpër errësirë.”

Aktorja u emocionua teksa kujtoi se sa e vështirë kishte qenë për njerëzit e saj më të afërt ta shihnin të përsëriste të njëjtat modele.

“Disa prej mikeshave të mia i kam kaluar nëpër ferr. Është shumë e vështirë të duash dikë që vazhdon të përplaset me të njëjtin mur, përsëri dhe përsëri.”

Theron shpjegoi se instinkti i parë është gjithmonë ta marrësh personin që do dhe ta nxjerrësh me forcë nga ajo situatë. Por në realitet, askush nuk mund ta bëjë këtë në vend të tjetrit.

“Gjithçka që do të bësh është ta tërheqësh jashtë, por e di që nuk mundesh. Duhet të mësosh të ecësh mbi një vijë shumë të hollë. Unë kam qenë jashtëzakonisht me fat që kam pasur njerëz të mrekullueshëm në jetën time.”

Fjalët e aktores prekin një aspekt që shpesh harrohet kur flasim për marrëdhëniet toksike: personi që ndodhet brenda tyre mund ta ketë shumë më të vështirë ta shohë situatën nga jashtë. Dhe ndonjëherë ndihma më e madhe nuk është presioni për t’u larguar, por prania e dikujt që vazhdon të qëndrojë pranë pa të gjykuar derisa të jesh gati ta shohësh vetë realitetin.

Gjatë viteve, Charlize Theron ka pasur disa lidhje të njohura publikisht, mes tyre edhe me Sean Penn. Në vitin 2012 ajo vendosi të bëhej nënë e vetme duke adoptuar vajzën Jackson, ndërsa në vitin 2015 familjes iu bashkua edhe August.

Sot, Theron flet për marrëdhëniet me një vetëdije shumë më të madhe se dikur. Dhe në rrëfimin e saj, një gjë mbetet e qartë: ndonjëherë, dashuria që na shpëton nuk është ajo romantike.

Është ajo e mikeshës që qëndron aty, edhe kur ti ende nuk je gati të largohesh.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon