Botox-i dhe filler-at, normaliteti i ri?

Nga Class 27 August 2026

64a28c20-b85d-4ac7-a5a3-70524cee7492.jpeg

/Elle.it

Trajtimet estetike me injeksion po rriten me ritme të jashtëzakonshme në Itali. Sipas të dhënave të prezantuara në Kongresin e 99-të Kombëtar të Shoqatës Italiane të Dermatologjisë dhe Sëmundjeve Seksualisht të Transmetueshme, vetëm gjatë vitit 2024 janë kryer mbi 760 mijë procedura të tilla, pothuajse dyfishi i një viti më parë.

Rritja është veçanërisht e fortë për filler-at me acid hialuronik, me 125,9 për qind më shumë procedura, ndërsa injeksionet me toksinë botulinike janë shtuar me 62,8 për qind.

Por shifrat nuk tregojnë vetëm një trend të tregut të estetikës. Ato flasin edhe për mënyrën si po ndryshon marrëdhënia jonë me fytyrën, me plakjen dhe me mënyrën si duam të na shohin të tjerët.

Dikur “injeksionet” në fytyrë ishin një temë që fshihej edhe kur rezultati ishte i dukshëm. Sot mund të diskutohen me të njëjtën natyrshmëri si një serum i ri për lëkurën. Mund të jetë ndikimi i rrjeteve sociale, ku fytyrat e trajtuara janë bërë pjesë e përditshmërisë, mund të jetë kolegia që duket papritur më e freskët, shoqja, fqinja apo një tjetër nënë nga shkolla. Mund të jenë edhe çmimet më të aksesueshme dhe reklamat që i prezantojnë këto procedura gjithnjë e më shumë si mirëmbajtje normale, jo si ndërhyrje estetike.

Çfarë bëjnë filler-at dhe Botox-i?

Janë dy trajtime të ndryshme, edhe pse shpesh futen në të njëjtën kategori.

Filler-at përdoren kryesisht për t’i rikthyer volum zonave të fytyrës që e kanë humbur atë me kalimin e kohës. Efekti i tyre është mbushës dhe mund të përdoren për rrudha, hollime natyrore të indeve apo zona ku është humbur volum.

Botox-i, ose toksina botulinike, vepron ndryshe. Ai ndërhyn te aktiviteti muskulor duke reduktuar përkohësisht sinjalin nervor që shkakton kontraktimin e disa muskujve. Në këtë mënyrë zbuten rrudhat e mimikës dhe fytyra mund të duket më e çlodhur.

Ajo që ka ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit është publiku.

Mjekësia estetike nuk shihet më vetëm si diçka që gratë fillojnë ta konsiderojnë pas të 40-ave. Sot gjithnjë e më shumë burra u drejtohen këtyre procedurave dhe, mbi të gjitha, po shtohet numri i të rinjve që i përdorin në mënyrë parandaluese.

Pra, paradoksi është i dukshëm: të rinj që duan të parandalojnë pamjen e plakjes përpara se plakja të ketë filluar realisht.

Dhe këtu lind një pyetje më e gjerë. Kur kujdesi për pamjen përfundon së qeni kujdes dhe kthehet në mbikëqyrje të vazhdueshme të vetes?

Jo gjithmonë motivimi është dëshira për t’u bërë “më të bukur”. Ndonjëherë është thjesht dëshira për të njohur përsëri fytyrën tonë. Koha e ndryshon trupin ngadalë dhe, kur një ditë e vëmë re papritur atë ndryshim, mund të kërkojmë të rikthejmë fytyrën që për vite e kemi konsideruar “tonën”.

Looksmaxxing, kur optimizimi i pamjes bëhet obsesion

Në këtë klimë është përhapur edhe looksmaxxing, një trend që synon të “maksimizojë” pamjen fizike dhe që është bërë veçanërisht popullor mes të rinjve në rrjete sociale.

Origjina e fenomenit lidhet kryesisht me komunitete online të burrave që e konsiderojnë veten të penalizuar nga gjenetika, veçanërisht në marrëdhëniet romantike. Në disa prej këtyre hapësirave, të lidhura edhe me komunitetet incel, fytyrat analizohen thuajse matematikisht: simetria, nofulla, distancat mes tipareve dhe proporcionet marrin pikë, sikur pamja të përcaktonte në mënyrë të pakthyeshme fatin shoqëror të një personi.

Një studim i publikuar në vitin 2026 në Indian Journal of Otolaryngology and Head & Neck Surgery ndan looksmaxxing në nivele të ndryshme.

Në njërën anë është “softmaxxing”, që përfshin praktika me rrezik të ulët si kujdesi për lëkurën, aktiviteti fizik apo përmirësimi i stilit të jetesës.

Në skajin tjetër është “hardmaxxing”, që përfshin ndërhyrje për ndryshimin e përhershëm të tipareve fizike.

Në versionet më ekstreme është shfaqur edhe “bonesmashing”, një praktikë ku njerëzit godasin qëllimisht kockat e fytyrës me idenë se mund t’i riformësojnë. Është një praktikë e rrezikshme dhe pa bazë mjekësore.

Ajo që shqetëson studiuesit nuk është domosdoshmërisht çdo formë e kujdesit estetik, por modelet psikologjike që shfaqen shpesh në këto komunitete: pakënaqësi e vazhdueshme me trupin, krahasim konstant me të tjerët, ankth për pamjen dhe simptoma të lidhura me dismorfinë trupore.

Dhe kufiri mes “po kujdesem për veten” dhe “nuk arrij më ta pranoj pamjen time pa e korrigjuar” mund të bëhet shumë i hollë.

Pse njerëzit kanë dashur gjithmonë të duken të rinj?

Në fakt, obsesioni me rininë nuk është shpikje e Instagramit.

Rrudhat, njollat apo ndryshimet e fytyrës nuk janë sëmundje. Janë thjesht shenja të kohës. Megjithatë, njerëzimi është përpjekur prej mijëra vitesh t’i korrigjojë, fshehë ose vonojë.

Që në parahistori, pigmentet minerale përdoreshin për dekorimin e trupit dhe si shenjë statusi. Në Egjiptin e lashtë përgatiteshin pomada për rrudhat dhe njollat e lëkurës, përdoreshin banja me qumësht dhe maska me argjilë. Grekët e lashtë idealizonin lëkurën e zbehtë, ndërsa romakët shkruanin manuale për kujdesin dhe bukurinë.

Më vonë, alkimistët kërkonin gurin filozofal që, sipas legjendës, do të kthente shëndetin dhe rininë, ndërsa eksploruesit ëndërronin burimin e rinisë së përjetshme.

Pra, Botox-i dhe filler-at mund të shihen edhe si versioni modern i një dëshire shumë të vjetër: të negociojmë me kohën.

Rrjetet sociale nuk e shpikën dëshirën për bukuri, por e kthyen në konkurrencë

Njerëzit gjithmonë kanë dashur të pëlqehen dhe të pëlqejnë veten. Por rrjetet sociale e kanë transformuar këtë dëshirë në diçka të vazhdueshme, të krahasueshme dhe pothuajse të matshme.

Të bësh scroll sot do të thotë të kalosh nga një fytyrë te tjetra, shumë prej të cilave janë ndryshuar nga filtra, procedura estetike, ndërhyrje kirurgjikale ose nga të gjitha bashkë.

Kështu krijohet një mjedis ku standardi me të cilin krahasohemi jo gjithmonë ekziston në natyrë.

Në të njëjtën kohë, edhe gjuha me të cilën flitet për procedurat estetike është bërë shumë më e butë. Nuk flitet më domosdoshmërisht për “ndryshim të fytyrës”, por për mirëmbajtje, freskim, parandalim, një pamje më të pushuar.

Dhe kjo nuk është rastësi.

Në një shoqëri ku duhet të dukemi gjithmonë energjikë, funksionalë, optimistë dhe “në rregull”, edhe fytyra fillon të marrë pjesë në performancë.

Një fytyrë e lodhur mund të interpretohet si problem. Një rrudhë si diçka që duhet korrigjuar. Një mimikë e rënduar nga stresi, trishtimi apo zemërimi si diçka që duhet neutralizuar.

Dhe këtu fenomeni kalon nga estetika te kultura.

Sepse fytyra nuk tregon vetëm moshën. Ajo tregon edhe jetën.

Gëzimi, frika, turpi, zemërimi, të qeshurat dhe shqetësimi lënë të gjitha gjurmë në të.

Që në vitin 55 para Krishtit, Ciceroni shkruante te “De Oratore” se çdo gjest vjen nga shpirti, fytyra është imazhi i tij dhe sytë janë interpretuesit.

Edhe studimet moderne mbi mimikën tregojnë se emocionet e thella shfaqen shpesh në mikroshprehje që nuk kontrollohen plotësisht.

Dhe pikërisht këtu lind pyetja më interesante e gjithë debatit: nëse vazhdimisht përpiqemi të fshijmë nga fytyra çdo shenjë të kohës, lodhjes dhe emocioneve, çfarë po kërkojmë në të vërtetë?

Të dukemi më të rinj, apo të dukemi sikur asgjë nuk na ka ndodhur kurrë?

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon