“Bordeaux cherry”, manikyri që do të dominojë vjeshtën 2026

Me rikthimin te rutina vjen edhe një nga ato ndryshimet e vogla që shënojnë zyrtarisht fundin e verës: manikyri bëhet më i errët.
Rozat transparente, nuancat qumështore dhe ngjyrat e ndezura ia lënë vendin çokollatës, terrakotës, jeshiles ulliri dhe kumbullës. Por këtë vjeshtë, mes gjithë tonaliteteve të thella, një ngjyrë po rikthehet për të marrë sërish vëmendjen: bordeaux cherry.
Nuk është tamam burgundy dhe as e kuqja klasike e qershisë. Qëndron diku mes të dyjave, mjaftueshëm e errët për të pasur elegancën e një manikyri vjeshte, por me aq të kuqe brenda sa të mos duket e rëndë.
Dhe pikërisht këtu qëndron bukuria e saj.
Bordeaux cherry ndryshon sipas dritës. Në ambiente të mbyllura mund të duket si një kafe shumë e errët me nënton vere, ndërsa nën dritën natyrale dalin në pah e kuqja dhe qershia.
Pra, është bordeaux, por më i gjallë.
Edhe mënyra më e bukur për ta mbajtur nuk kërkon ndonjë nail art të komplikuar. Dy shtresa ngjyrë dhe një top coat shumë glossy krijojnë atë efekt të lëmuar, thuajse të llakuar, që e bën tonalitetin të duket edhe më i pasur.
Në thonj të shkurtër është minimal dhe shumë chic. Në formë ovale apo almond bëhet më femëror dhe elegant, ndërsa në stiletto merr një karakter më dramatik.
Për ato që duan diçka më kreative, mund të funksionojë edhe në një micro French ose si bazë për detaje kromatike. Megjithatë, versioni që duket më aktual është edhe më i thjeshti: një ngjyrë e vetme, shumë shkëlqim dhe asgjë tjetër.
Arsyeja pse bordeaux cherry funksionon kaq mirë pikërisht tani është edhe garderoba e vjeshtës.
Shkon me trikot krem, kafen, grinë, lëkurën e zezë, denim-in e errët dhe, sigurisht, me aksesorët burgundy që rikthehen çdo sezon.
Ka elegancën e manikyrit të kuq klasik, por pa atë ndjesinë shumë tradicionale. Është më i errët, më sensual dhe pak më misterioz.
Nëse vera 2026 i përkiste thonjve transparentë dhe estetikës “clean girl”, vjeshta duket se kërkon pak më shumë karakter.
Dhe bordeaux cherry është pikërisht aq: klasik sa të mos dalë kurrë nga moda, por mjaftueshëm i thellë për të ndryshuar menjëherë gjithë look-un.



