Bledi Strakosha rrëfen betejën me hemorragjinë cerebrale: “Brenda një dite të ndryshon jeta plotësisht”

Një dhimbje koke që nisi papritur, 12 ditë në spital dhe një ndërhyrje që sot e bën Bledi Strakoshën të flasë për një “jetë të dytë”.
Moderatori ka rrëfyer për herë të parë një nga periudhat më të vështira të jetës së tij, pasi në fund të muajit gusht u përball me një hemorragji cerebrale.
I ftuar në emisionin “Rudina”, Strakosha tregoi se gjithçka nisi mbrëmjen e 29 gushtit, teksa ndodhej vetëm në shtëpi. Rreth orës 23:30 u ngrit nga divani për të shkuar në kuzhinë, kur ndjeu një dhimbje koke krejtësisht të pazakontë.
“Sa ngrihem nga divani, më fillon një dhimbje koke si therje, fillimisht në ballë, pastaj vazhdoi në të gjithë kokën deri në fund të qafës”, tregoi ai.
Intensiteti ishte i tillë që Bledi kuptoi menjëherë se nuk bëhej fjalë për një dhimbje koke të zakonshme.
“Se kisha provuar ndonjëherë atë lloj dhimbjeje. Ishte aq e fortë sa më vonë, kur ia përshkrova sime motre, i thashë: më vinte të vrisja veten vetëm që të shpëtoja nga ajo dhimbje koke, aq e tmerrshme ishte.”
Pas telefonatës në urgjencë, një ekip mjekësor shkoi në banesën e tij dhe kreu matjet e para. Në atë moment, megjithatë, situata nuk u konsiderua si rast që kërkonte shtrim të menjëhershëm në spital.
Dhimbja nuk u harrua. I nxitur edhe nga motra, të nesërmen Bledi vendosi të paraqitej vetë në urgjencë.
Pas analizave të gjakut, mjekët kryen një skaner me kontrast. Pikërisht aty situata ndryshoi.
“Pasi më bëjnë skanerin, shoh portretet e tre djemve të rinj që ishin vrenjtur dhe, pasi më thanë ‘mos lëviz fare’, erdhën, më morën me karrige”, rrëfeu moderatori.
Ekzaminimet zbuluan hemorragjinë cerebrale dhe më pas Strakosha iu nënshtrua ndërhyrjes së nevojshme. Ai qëndroi për 12 ditë në spital, ndërsa sot thotë se e konsideron mbijetesën një fillim të dytë.
“Tani e konsideroj një jetë të dytë.”
Përvoja e ka bërë të reflektojë edhe për mënyrën se si shpesh i trajtojmë simptomat që nuk i kemi përjetuar më parë. Pikërisht për këtë arsye, Bledi vendosi të fliste publikisht për atë që i ndodhi.
“Është gjithmonë ideja se do të të kalojë duke pirë një paracetamol, por asnjëherë nuk i marrim seriozisht disa simptoma që na shfaqen, që janë të pazakonta. I neglizhojmë, pasi kemi dhe frikë ndonjëherë dhe kjo mund të na çojë drejt humbjes së jetës.”
Pas gjithë asaj që kaloi, moderatori thotë se ndihet me fat, veçanërisht duke menduar për njerëzit që përballen me situata të ngjashme dhe nuk arrijnë të rikuperohen pa pasoja.
“Brenda ditës të ndryshon jeta plotësisht”, tha ai.
Dhe për Bledin, kjo “jetë e dytë” do të vijë edhe me disa ndryshime. Ai synon të kujdeset më shumë për shëndetin dhe të heqë dorë nga duhani, një zakon që e shoqëron që prej moshës 18 vjeç.
Nga një ngritje e zakonshme nga divani në një ndërhyrje në tru, për Strakoshën gjithçka ndryshoi brenda pak orësh. Sot, historinë e tij e tregon edhe për një arsye tjetër: një simptomë që trupi nuk e ka dhënë kurrë më parë nuk duhet neglizhuar vetëm me shpresën se “do të kalojë”.



