Bled Strakosha rrëfen si i shpëtoi jetën aneurizmës cerebrale: “Ishte një dhimbje koke që nuk e kisha përjetuar kurrë”

Një dhimbje koke e pazakontë ishte sinjali i parë i një problemi që mund t’i kishte kushtuar jetën. Bled Strakosha është rikthyer te përballja e tij me aneurizmën cerebrale, duke treguar detaje nga momenti i parë i simptomave deri te ndërhyrja urgjente që iu desh të kryente.
I ftuar në “Live From Tirana”, gazetari dhe moderatori tregoi se gjithçka ndodhi në fund të muajit gusht. Fillimisht, ajo që po përjetonte mund të dukej si një dhimbje koke e fortë, por intensiteti ishte krejt i ndryshëm nga çdo episod që kishte kaluar më parë.
“Ndjehej si një dhimbje koke shumë e fortë, pra që s’kisha përjetuar ndonjëherë”, tregoi ai.
Në një rrëfim të mëparshëm, Strakosha kishte shpjeguar se dhimbja nisi papritur teksa u ngrit nga divani në shtëpi. Fillimisht e ndjeu si një therje në ballë, përpara se dhimbja të përhapej në të gjithë kokën deri në pjesën e pasme të qafës.
Kontakti i parë me urgjencën nuk e zbuloi menjëherë problemin. Në atë moment u konsideruan edhe shkaqe të tjera të mundshme për dhimbjen, por simptomat nuk u qetësuan me trajtimet e zakonshme.
Bledi vendosi më pas të paraqitej në urgjencën e QSUT-së, ku iu nënshtrua ekzaminimeve më të thelluara. Skaneri me kontrast tregoi se pas dhimbjes nuk fshihej një shqetësim i zakonshëm, por një problem serioz vaskular në tru.
Diagnoza ishte aneurizëm cerebrale, një zgjerim anormal i murit të një ene gjaku në tru, që në rast çarjeje mund të shkaktojë hemorragji cerebrale.
Pas konstatimit të problemit, Strakosha iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente.
Moderatori tregoi gjithashtu se mjekët kanë diskutuar me të disa faktorë të historisë së tij shëndetësore. Ai ka pasur kolesterol të lartë të diagnostikuar që në moshën 25-vjeçare dhe ka qenë duhanpirës prej shumë vitesh. Duhanpirja dhe tensioni i lartë i gjakut njihen si faktorë të rëndësishëm rreziku për zhvillimin dhe çarjen e aneurizmave cerebrale, ndërsa roli i faktorëve të tjerë varet nga historia individuale.
Pas ndërhyrjes dhe 12 ditëve të kaluara në spital, rikuperimi vazhdon.
Bledi ndodhet ende nën trajtim me medikamente dhe pas rreth një muaji pritet t’i nënshtrohet një rezonance magnetike kontrolli, për të parë ecurinë pas ndërhyrjes.
Eksperienca ka ndryshuar edhe mënyrën se si ai e sheh shëndetin. Në rrëfimet e tij të fundit, Strakosha ka pranuar se tashmë e konsideron atë që i ndodhi si një “jetë të dytë” dhe synon të ndryshojë disa zakone, mes tyre edhe të heqë dorë nga duhani.
Ai ka shprehur mirënjohje për familjen, miqtë dhe ekipin mjekësor që e shoqëruan gjatë ditëve më të vështira.
Historia e tij mbart edhe një mesazh që vetë moderatori ka dashur ta theksojë publikisht: kur shfaqet një simptomë e papritur dhe krejtësisht e ndryshme nga ato që kemi përjetuar më parë, nuk duhet supozuar automatikisht se “do të kalojë”.
Në rastin e tij, pas një dhimbjeje koke që dukej se mund të trajtohej me një qetësues, fshihej një problem që kërkonte ndërhyrje urgjente.



