Blake Lively merr goditjen e fortë në betejën ligjore me Justin Baldoni
Blake Lively ka marrë një goditje të fortë në betejën e saj ligjore me Justin Baldoni. Aktorja kishte kërkuar që regjisori dhe aktori i “It Ends With Us” të mbulonte rreth 8 milionë dollarë shpenzime ligjore, por gjykata vendosi t’i njohë vetëm një pjesë shumë të vogël të kësaj shume.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Page Six, gjykatësi Lewis J. Liman urdhëroi Baldoni-n të paguajë 363,245.40 dollarë për honoraret e avokatëve dhe 44,206.35 dollarë të tjera për shpenzimet e procesit.
Në total, shuma i afrohet 407 mijë dollarëve, shumë larg 8 milionëve që kishte kërkuar Lively.
Madje, në vendim, gjykatësi e cilësoi kërkesën e saj si “jashtëzakonisht të paarsyeshme”.
Vendimi erdhi vetëm një ditë pas ditëlindjes së 39-të të aktores.
Pavarësisht se shuma e miratuar është shumë më e ulët nga ajo që kishte kërkuar, ekipi ligjor i Lively e interpretoi vendimin si një fitore të rëndësishme.
Avokatët e saj, Esra Hudson dhe Michael Gottlieb, thanë se Justin Baldoni dhe palët e lidhura me Wayfarer kishin humbur padinë e tyre kundërpërgjigjëse prej 400 milionë dollarësh, të cilën dy gjykata e kishin konsideruar si një përpjekje për të frenuar kritikat publike dhe për të heshtur Lively-n dhe të tjerë.
Sipas tyre, fakti që gjykata vendosi t’i japë Lively-t tarifa dhe shpenzime ligjore në bazë të kësaj dispozite të ligjit të Kalifornisë është historik.
“Siç kemi thënë që nga dita e parë, çështja e Blake Lively nuk ka qenë kurrë për paratë, por për përgjegjësinë”, thanë ata.
Ekipi i aktores shtoi se çështja e saj kishte ekspozuar një industri të fushatave të fshehta të diskreditimit online që, sipas tyre, shënjestrojnë veçanërisht gratë.
Nga ana tjetër, avokati i Justin Baldoni-t, Bryan Freedman, e përshkroi vendimin si një fitore të rëndësishme për klientët e tij.
Ai theksoi se gjykatësi kishte shqyrtuar kërkesën prej më shumë se 8 milionë dollarësh dhe, pasi e kishte cilësuar “të tepruar dhe të paarsyeshme”, kishte miratuar vetëm rreth 5 për qind të shumës së kërkuar.
“Vendimi flet vetë”, tha Freedman.
Sipas tij, vendimi dërgon një mesazh se “sado i fuqishëm të jesh, gjykata nuk është një vend ku ligji mund të përdoret për përfitim personal”.
Konflikti mes Blake Lively dhe Justin Baldoni nisi pas realizimit të filmit “It Ends With Us”, ku të dy punuan bashkë.
Në padinë e saj të vitit 2024, Lively pretendoi se Baldoni e kishte ngacmuar seksualisht gjatë xhirimeve. Baldoni i kundërshtoi akuzat dhe më pas nisi një betejë të gjerë ligjore kundër aktores dhe personave të tjerë të përfshirë.
Në maj të këtij viti, palët arritën një marrëveshje për t’i dhënë fund një pjese të konfliktit.
Në deklaratën e përbashkët të publikuar atëherë, të dyja palët thanë se filmi “It Ends With Us” mbetej një projekt për të cilin ishin krenarë dhe se ngritja e ndërgjegjësimit për viktimat e dhunës në familje ishte një qëllim që e mbështesnin.
Ata pranuan gjithashtu se procesi kishte sjellë vështirësi dhe se shqetësimet e ngritura nga Lively meritonin të dëgjoheshin.
Sipas raportimeve të mëparshme, as Blake Lively dhe as Justin Baldoni nuk përfituan financiarisht nga marrëveshja.
Megjithatë, burime të Page Six kishin pretenduar se ekipet e tyre ligjore kishin fituar së bashku rreth 60 milionë dollarë gjatë gjithë procesit.
Në një dokument të depozituar në qershor, Lively kishte pretenduar se Baldoni kërkonte prej saj rreth 7.5 milionë dollarë honorare avokatësh dhe rreth 539 mijë dollarë shpenzime gjyqësore.
Nga ana tjetër, kur Lively kërkoi që ai të paguante rreth 8 milionë dollarët e saj, ekipi i Baldoni-t e cilësoi kërkesën si të tepërt dhe larg një kërkese “normale” për tarifa ligjore.
Vendimi gjyqësor erdhi në të njëjtën javë kur Lively festoi ditëlindjen.
Bashkëshorti i saj, Ryan Reynolds, publikoi një seri fotosh në rrjete sociale dhe e uroi me fjalë të ngrohta.
“Gëzuar ditëlindjen njeriut më të mirë që njoh”, shkroi ai, duke e përshkruar si të guximshme, të sjellshme dhe jashtëzakonisht të dashur.
Ndërkohë, Justin Baldoni kishte folur muajin e kaluar për herë të parë pas marrëveshjes, duke thënë se ai dhe bashkëshortja e tij, Emily Baldoni, ndienin “mirënjohje të jashtëzakonshme” për njerëzit që i kishin mbështetur.
“Janë thënë kaq shumë gjëra të dhimbshme gjatë këtyre dy viteve”, u shpreh ai. “Kjo krijoi shumë zhurmë dhe ne nuk donim t’i shtonim më shumë zhurmë. Donim thjesht ta linim sistemin e drejtësisë të bënte punën e vet.”
Blake Lively, ndërkohë, raportohet se po planifikon rikthimin e saj në Hollywood pas një periudhe ku jeta profesionale e saj është lënë në hije nga një prej konflikteve ligjore më të komentuara të industrisë së argëtimit.



