Beatrix Ramosaj denoncon përndjekjen online: “Mbi 200 profile false prej BBV”

Beatrix Ramosaj ka vendosur të flasë publikisht për një situatë që, sipas saj, nuk është një episod i momentit, por vazhdon prej më shumë se pesë vitesh.
Përmes një serie postimesh në Instagram, këngëtarja tregoi se përballet vazhdimisht me llogari false, tentativa për të hyrë në profilin e saj dhe persona që kontaktojnë familjarët e miqtë e saj për të mësuar detaje nga jeta private.
Beatrix publikoi fillimisht një screenshot ku shfaqeshin disa kërkesa të njëpasnjëshme për ndryshimin e fjalëkalimit të llogarisë së saj, të mbërritura brenda pak minutash në orët e para të mëngjesit.
“Ora 7 e mëngjesit dhe ky nivel përkushtimi ndaj jetës së dikujt tjetër është në fakt poshtërues”, shkroi ajo.
Por sipas artistes, situata shkon përtej tentativave për të aksesuar rrjetet e saj sociale. Beatrix pretendon se janë krijuar mbi 200 profile false, të cilat kanë kontaktuar njerëzit e saj të afërt, miq, familjarë dhe madje edhe persona që ajo thjesht ndjek në Instagram, me qëllim për të siguruar informacione rreth saj.
“E vërteta është se ti di vetëm çfarë unë zgjedh të ndaj. Jeta ime reale ka vazhduar bukur jashtë këtij ekrani”, shkroi këngëtarja, duke shtuar se pas kaq shumë vitesh nuk ndien më zemërim, por keqardhje.
“Imagjino të kalosh mbi pesë vite e fiksuar pas dikujt dhe përsëri të mos arrish kurrë aq pranë sa ta njohësh vërtet”, vijoi ajo.



Periudha të cilës i referohet përkon me vitet pas pjesëmarrjes së saj në edicionin e parë të “Big Brother VIP Albania”, kur jeta sentimentale e Beatrix u kthye në një prej temave më të diskutuara në rrjet. Marrëdhënia e saj me Donald Veshajn brenda reality show-t solli një valë të madhe vëmendjeje, por edhe komentesh e gjykimesh ndaj këngëtares.
Megjithatë, në reagimin e fundit Beatrix nuk përmend emra dhe as nuk ia atribuon sjelljen që denoncon një personi apo grupi të caktuar.
Artistja e bëri të qartë gjithashtu se nuk ka ndërmend të distancohet nga e shkuara apo të lejojë që episode të jetës së saj të përdoren për ta turpëruar.
“Unë zotëroj jetën time, historinë time, zgjedhjet e mia. Të gjitha. Nuk ka asgjë që mund të më thuash mua apo njerëzve që dua që të më bëjë të ndihem ndryshe për një jetë që e kam jetuar plotësisht si timen. Dhe kjo është fuqia ime”, shkroi ajo.

Mesazhin e saj Beatrix e mbylli me një fjali të drejtpërdrejtë për personat që, sipas saj, vazhdojnë ta përndjekin online:
“Pesë vite janë një kohë shumë e gjatë për t’i humbur me jetën time. Shpresoj që një ditë të mësoni ta doni jetën tuaj po aq sa dua unë timen.”



