Backstreet Boys rikthehen në Europë në verën e 2027-ës, zbulohet kalendari i koncerteve

Grupi legjendar amerikan Backstreet Boys ka bërë të ditur planet për një turne të ri europian gjatë verës së vitit 2027, duke rikthyer emocionet për mijëra fansa që janë rritur me hitet e tyre.
Njoftimi u bë të premten, më 27 nëntor, ndërsa turneu do të mbajë emrin “Into The Millennium – Homecoming” dhe do të përfshijë disa prej qyteteve më të mëdha të Europës.
Seria e koncerteve do të nisë në Londër, ku grupi do të ngjitet në skenën e O2 Arena për katër net, më 8, 9, 11 dhe 12 qershor 2027.
Më pas, Backstreet Boys do të vijojnë udhëtimin muzikor në Vjenë, më 24 dhe 25 qershor, për të vazhduar në Amsterdam më 2 korrik, Berlin më 9 korrik, Zyrih më 16 korrik dhe Hamburg më 23 korrik.
Ndalesa e fundit e turneut do të jetë Mynihu, ku grupi ka planifikuar dy koncerte, më 30 dhe 31 korrik.
Ky rikthim në skenat europiane do t'i kushtohet albumit ikonik “Millennium”, të publikuar në vitin 1999, i cili shënoi një prej periudhave më të suksesshme të karrierës së grupit. Albumi përmban disa prej këngëve më të dashura të publikut, mes tyre edhe hitin e famshëm “I Want It That Way”.
Për fansat që presin të sigurojnë një biletë, shitja do të nisë më 4 dhjetor.



