Antigona Ramosaj flet për herë të parë pas betejës me kancerin

Antigona Ramosaj ka folur për herë të parë publikisht për periudhën e vështirë që kaloi me sëmundjen, duke zgjedhur të mos ndalet gjatë te detajet, por te njerëzit që i qëndruan pranë.
Në një telefonatë gjatë emisionit “Live me Luizin”, Luiz Ejlli iu referua betejës së saj me kancerin dhe faktit që sot ajo është rikthyer e qeshur dhe në një gjendje shumë më të mirë.
“E di që ke kaluar një sëmundje të rëndë dhe sot po flet me mua, je e qeshur. Ju motrat paskeni qenë motra, si i thonë si shota, njëra më e fortë se tjetra. Më vjen mirë që e ke marrë veten. O Zot, mos t’u ktheftë më”, i tha Luizi.
Antigona zgjodhi një përgjigje të shkurtër, por domethënëse, duke falënderuar motrën e saj, Albërie Hadërgjonaj, për mbështetjen gjatë gjithë kësaj periudhe.
“Unë falënderoj edhe Albërien që më ka qëndruar afër”, u shpreh ajo.
Edhe Albëria reagoi gjatë bisedës, duke iu drejtuar njerëzve që po kalojnë të njëjtën betejë dhe duke kërkuar që diagnoza të mos shihet si fundi i gjithçkaje.
“Kushdo që ka luftë me kancerin, mos ta marrë si fundi i botës. Ka mjekime. Trupi lufton vetë. Të jeni të kujdesshëm. Janë shumë gjëra që s’po i hyj se jam bërë edhe si mjeke”, tha Albërie Hadërgjonaj.
Rrëfimi ishte i shkurtër, por mjaftoi për të treguar një anë shumë personale të marrëdhënies mes dy motrave. Antigona nuk dha detaje të tjera për trajtimet apo periudhën e sëmundjes, duke e mbajtur fokusin te falënderimi dhe te mbështetja që mori nga familja.



