Anne Hathaway bëhet nënë për herë të tretë

Anne Hathaway dhe bashkëshorti i saj, Adam Shulman, kanë mirëpritur fëmijën e tyre të tretë. Sipas lajmit të publikuar nga TMZ dhe të konfirmuar më pas nga People, aktorja 44-vjeçare është bërë sërish nënë, ndërsa emri, gjinia dhe data e lindjes së foshnjës ende nuk janë bërë të ditura.
Hathaway është parë në Nju-Jork në shoqërinë e një mikeje, duke mbajtur të porsalindurin në një mbajtëse për foshnja.
Aktorja dhe Shulman, të martuar që prej vitit 2012, janë prindër edhe të dy djemve: Jonathan, i lindur në vitin 2016, dhe Jack, në vitin 2019.
Hathaway e kishte zbuluar shtatzëninë në qershor, përmes një videoje në Instagram ku shfaqej me barkun e rrumbullakosur, shoqëruar me fjalët: “Zemër, jam e jotja”.
Gjatë muajve që pasuan, ajo vazhdoi angazhimet profesionale dhe pjesëmarrjen në aktivitetet promovuese të filmave “Mother Mary”, “The Odyssey”, “Djalli vishet me Prada 2” dhe “Verity”. Daljet e saj publike tërhoqën vëmendjen edhe për veshjet e zgjedhura gjatë shtatzënisë.
Një surprizë që e krahasoi me “koshin në sekondën e fundit”
Në korrik, e ftuar në emisionin “Late Night with Seth Meyers”, Hathaway tregoi gëzimin që ajo dhe bashkëshorti po përjetonin në pritje të fëmijës së tretë. Me humor, aktorja e krahasoi shtatzëninë me një kosh të shënuar në sekondën e fundit të ndeshjes.
“Është e jashtëzakonshme. E dinim çfarë po bënim”, tha ajo. “Por u habitëm kaq shumë që funksionoi… Nuk e besonim që gjërat shkuan kështu. Ndaj e quajmë ‘koshi ynë në sekondën e fundit’.”
Për Adam Shulman: “Një gjë është të kesh ëndrra, tjetër gjë të kesh dikë që të ndihmon t’i realizosh”
Në një intervistë për People në prill, Hathaway kishte folur për mbështetjen e bashkëshortit gjatë një viti veçanërisht të ngarkuar, me promovimin e pesë filmave: “Mother Mary”, “Djalli vishet me Prada 2”, “The Odyssey”, “The End of Oak Street” dhe “Verity”.
“Më mbështet plotësisht. Ky vit, në veçanti, ka qenë i pazakontë. Të dy e dimë që ndoshta nuk do të përsëritet më një periudhë e tillë. Dhe mënyra se si ai ka marrë përsipër gjithçka që ka mundur… Është njeriu më i jashtëzakonshëm që kam njohur”, u shpreh aktorja.
Për Hathaway, prania e tij ka qenë vendimtare si në jetën personale, ashtu edhe në karrierë.
“Jam shumë me fat që e kam përkrah në jetë. Nëse nuk e kisha kuptuar më parë, besoj se gjatë vitit të fundit e kam kuptuar vërtet: ai është gjithmonë aty, në gjithçka që bën. Është një pikë mbështetjeje. Shpresoj të mos tingëllojë sikur po mburrem, por për mua është partneri ideal. Një gjë është të kesh ëndrra, tjetër gjë të kesh dikë që të ndihmon t’i realizosh. Pa bashkëshortin tim, nuk do të kisha arritur gjithë sa kam arritur.”



