Angela Martini viktimë e një grabitjeje në Los Angeles, hajdutët hyjnë në shtëpinë e saj

Modelja shqiptare Angela Martini ka zbuluar se është bërë viktimë e një grabitjeje në banesën e saj në Los Angeles.
Përmes disa postimeve në Instagram, ajo tregoi se persona të paidentifikuar kanë hyrë në shtëpinë e saj dhe kanë marrë disa prej çantave të saj, ndërsa ndau edhe pamje nga kamerat e sigurisë që dokumentojnë lëvizjet e autorëve brenda dhe jashtë pronës.
Në një prej postimeve, Angela reagoi me ironi për situatën që kishte përjetuar.
“Unë, 24 orë pasi shtëpia ime në Los Angeles u grabit dhe çantat m’u vodhën”, shkroi modelja.
Në një tjetër reagim, ajo ngriti shqetësimin për rritjen e kriminalitetit, duke lënë të kuptohet se ngjarje të tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në zonën ku jeton.
Ajo publikoi gjithashtu pamje të një personi të maskuar që dyshohet se është një nga autorët e grabitjes, të shoqëruara me mesazhin:
“Pas çdo maske fshihet djali i dikujt. Gjashtë ditë më vonë, e njëjta lagje. Një tjetër grabitje.”
Deri më tani, Angela Martini nuk ka bërë të ditur vlerën e sendeve të vjedhura dhe as nëse autorët janë identifikuar nga autoritetet.





