Agron Llakaj rikthehet në Portokalli pas 16 vitesh

Një nga figurat që lidhet më fort me historinë e “Portokalli” po rikthehet në skenën ku nisi një prej kapitujve më të rëndësishëm të karrierës së tij. Pas 16 vitesh mungesë, Agron Llakaj do të jetë sërish pjesë e spektaklit të humorit në Top Channel, këtë herë jo vetëm si aktor, por edhe në drejtimin e tij.
Llakaj do të rikthehet në rolin e moderatorit dhe aktorit, ndërsa vetë e ka përshkruar këtë moment me një krahasim që i përshtatet humorit të tij, si “rikthimi i Odisesë”.
“Me mbështetjen e Lorit dhe Top Channel, mendoj se kemi të gjitha mundësitë që ‘Portokalli’ të rimarrë ngjyrimin e atij që e themeloi, që i vuri këtë emër kaq të bukur. Unë isha i pari që erdha dhe ky rikthimi im është si rikthimi i Odisesë”, u shpreh ai.
Për humoristin, rikthimi nuk do të thotë të nisë gjithçka nga e para. Përkundrazi, ai synon të bashkojë eksperiencën e tij shumëvjeçare me energjinë e brezave të aktorëve që kanë mbajtur gjallë spektaklin gjatë viteve të mungesës së tij.
“Portokallia është tani shtëpia e vetme e humorit në Shqipëri dhe, përveç kontributeve dhe energjisë që kanë përcjellë aktorët, ardhja ime nuk është nisje nga zero, por bashkim i energjive”, tha Llakaj në një intervistë për Top Channel.
Agron Llakaj ishte një prej figurave kryesore të viteve të para të “Portokalli”, ku përveç moderimit krijoi edhe një sërë personazhesh që mbetën gjatë në kujtesën e publikut. Ai u largua nga spektakli në vitin 2010, duke nisur më pas një rrugëtim të gjatë në formate të tjera televizive.
Fillimisht drejtoi “Kush do të bëhet milioner”, ndërsa nga viti 2012 deri në vitin 2019 ishte autor, regjisor, skenarist dhe aktor në “Al Pazar”. Më pas vijoi eksperiencën televizive me formatin satirik “Fake Off” në Vizion Plus.
Tani, 16 vite pas largimit, Agron Llakaj kthehet aty ku për shumë shikues nisi gjithçka. Një rikthim që pritet të sjellë jo vetëm nostalgjinë e “Portokalli” së dikurshme, por edhe një etapë të re për spektaklin e humorit.



