Afrona Dika, nënë për herë të parë
Sipërmarrësja zbulon ekskluzivisht shtatzëninë e parë dhe rrëfen pritjen e ëmbël, dashurinë, ëndrrat dhe pyetjet që e shoqërojnë drejt mëmësisë.

Në kopertinën e nëntorit të Class është shkruar vetëm një emër, por këtë herë janë dy. Afrona Dika është shtatzënë dhe po pret një djalë! Sipërmarrësja ka zgjedhur ta ndajë ekskluzivisht me lexuesit tanë lajmin se po pret fëmijën e saj të parë.
Me partnerin kishin folur edhe më parë për një fëmijë, siç ndodh kur dy njerëz që duhen fillojnë ta përfytyrojnë jetën bashkë. Por sado herë ta kesh menduar, tjetër gjë është dita kur sheh rezultatin e testit dhe e di se, pas pak, do t’i thuash njeriut tënd se do të bëhet baba. Afronës, nga ai çast, i ka mbetur në kujtesë gëzimi që i pa në sy.
Po vetë Afrona, çfarë nëne dëshiron të jetë? Për të na u përgjigjur, kthehet te shtëpia ku u rrit. Prej andej do të donte të merrte të qeshurat, përqafimet dhe sigurinë që të jep, që në fëmijëri, ndjesia se je i dashur. Për të birin ka shumë ëndrra, por kur flet për njeriun që shpreson të rrisë, dëshira e saj e parë është që ai të ketë një zemër të mirë. Ndërsa për vete, Afrona e thotë më thjesht. 'Nuk pres të jem perfekte, por dua të jem gjithmonë pranë fëmijës tim.'
Afrona, sot po ndan me lexuesit e Class lajmin se do të bëhesh nënë për herë të parë. Le të kthehemi te çasti kur e more vesh vetë. Cili ishte mendimi i parë që të kaloi nëpër mend?
Ishte një nga ato momente që të ndryshojnë jetën brenda pak sekondash. E mbaj mend shumë qartë atë ndjesi, sikur për një çast gjithçka rreth meje ndaloi. Kishte emocione të përziera: lumturi, habi, një emocion të thellë që është e vështirë ta përshkruash me fjalë. E shikoja rezultatin dhe nuk më besohej që brenda meje kishte filluar të rritej një jetë e vogël. Në atë moment kuptova se diçka shumë e bukur po fillonte. Ishte një lumturi ndryshe nga çdo gjë që kisha përjetuar më parë, një lumturi që nuk kishte nevojë për shumë fjalë, sepse e ndieja me gjithë shpirt.
Si ia the partnerit se do të bëhej baba?
Ishte një moment shumë intim dhe i veçantë për ne të dy. Më emociononte shumë mendimi se si do të reagonte, sepse e dija që ky lajm do të ndryshonte jetën tonë përgjithmonë. Ajo që më mbeti më shumë në zemër ishte lumturia që pashë tek ai. Ishte një nga ato çaste kur nuk duhen shumë fjalë për ta kuptuar njëri-tjetrin. Në sytë e tij pashë dashuri, emocion dhe një gëzim shumë të sinqertë. Dhe pikërisht atëherë e ndjeva edhe më fort se po fillonim kapitullin më të bukur të historisë sonë.

E ke ëndërruar prej kohësh veten nënë, apo dëshira për një fëmijë erdhi bashkë me dashurinë që po jeton sot? E kujton bisedën e parë mes jush për këtë?
Mendoj se diku brenda meje dëshira për t’u bërë nënë ka ekzistuar gjithmonë. Por besoj gjithashtu se disa ëndrra marrin një kuptim krejt tjetër kur në jetën tënde vjen njeriu i duhur. Sot nuk e shoh më mëmësinë thjesht si një dëshirë personale, por si frytin më të bukur të dashurisë që po jetojmë. Bisedat tona për një fëmijë kanë ardhur shumë natyrshëm, pa presion, pa nxitim. Ishte ajo ndjesia e bukur kur e kupton se të dy po shihni në të njëjtin drejtim dhe po ëndërroni të njëjtën të ardhme. Për mua, kjo është një nga format më të bukura të dashurisë.
Cilat cilësi të partnerit të kanë dhënë sigurinë për të ndërtuar një familje me të?
Me kalimin e viteve kupton se dashuria e vërtetë nuk është vetëm emocion dhe fjalë të bukura. Është qetësi, respekt, siguri dhe, mbi të gjitha, prania e dikujt që të bën të ndihesh vetvetja. Sot vlerësoj shumë një burrë që mban përgjegjësi, që di të dëgjojë, që është i qëndrueshëm emocionalisht dhe që ta tregon dashurinë përmes veprimeve të vogla të përditshme. Te partneri im kam gjetur pikërisht këtë qetësi. Kam gjetur një njeri pranë të cilit nuk kam nevojë të jem gjithmonë e fortë, sepse e di që mund të mbështetem tek ai. Dhe për mua kjo është një ndjenjë shumë e çmuar: të kesh pranë dikë me të cilin jo vetëm dashurohesh, por edhe ndihesh e sigurt për të ndërtuar një familje.

A të ka ndodhur gjatë këtyre muajve ta shohësh partnerin në një çast fare të zakonshëm dhe të përfytyrosh çfarë babai do të jetë? Çfarë ke zbuluar te ai gjatë këtyre muajve?
Gjatë këtyre muajve kam zbuluar tek ai një anë edhe më të bukur. Është shumë i kujdesshëm, i vëmendshëm dhe mundohet të jetë pranë meje në çdo moment. Janë pikërisht gjërat e vogla që më prekin më shumë: mënyra se si interesohet për mua, si kujdeset që të ndihem mirë dhe si e përjeton edhe ai këtë pritje. Ndonjëherë e shikoj dhe mendoj me vete sa me fat do të jetë fëmija ynë që do të rritet me kaq shumë dashuri. Sepse besoj se një baba i mirë nuk është vetëm ai që kujdeset për fëmijën, por edhe ai që e do, e respekton dhe e bën të lumtur nënën e tij.
A ke filluar t’i flasësh bebit? Çfarë i thua në ato çaste kur je vetëm me të?
Po, dhe është një nga ndjesitë më të bukura që kam përjetuar. Shpesh vendos dorën mbi bark dhe i flas me shumë dashuri. I tregoj sa shumë po e presim dhe sa shumë e duam. Është e pabesueshme si mund ta duash kaq shumë dikë që ende nuk e ke takuar.
'Pritje e ëmbël' është shprehja që përdorim zakonisht për shtatzëninë, por çdo grua i përjeton ndryshe këta muaj. Si kanë qenë për ty deri tani? A ka pasur edhe ditë të vështira?
Fatmirësisht, deri tani kam pasur një shtatzëni shumë të bukur dhe të qetë. Ndihem shumë mirënjohëse dhe po mundohem ta shijoj çdo moment të kësaj periudhe kaq të veçantë.

Nga fëmijëria jote, çfarë do të doje të jetonte sërish në shtëpinë ku do të rritet fëmija yt?
Ngrohtësinë familjare, dashurinë dhe respektin. Dua që fëmija im të rritet në një shtëpi plot të qeshura, përqafime dhe kujtime të bukura, ku gjithmonë të ndihet i dashur dhe i sigurt.
Ende nuk ia njeh fytyrën, por tashmë ke nisur ta përfytyrosh jetën me të. Kur mendon për veten si nënë, çfarë përfytyron?
E përfytyroj veten si një nënë shumë të dashur, të përkushtuar dhe të kujdesshme. Nuk pres të jem perfekte, por dua të jem gjithmonë pranë fëmijës tim dhe t’i jap dashuri pa kushte.

Cilat janë vlerat që dëshiron t’i përcjellësh dhe që shpreson ta shoqërojnë edhe kur të rritet e të zgjedhë rrugën e vet?
Dua t’i mësoj respektin, mirësinë, sinqeritetin dhe rëndësinë e familjes. Mbi të gjitha, dua të rritet me një zemër të mirë, me vetëbesim dhe me guximin për të ndjekur ëndrrat e veta.
Kur mendon për jetën pas lindjes, cila është pasiguria jote më e madhe?
Ndoshta përgjegjësia e madhe që sjell mëmësia dhe dëshira për ta mbrojtur gjithmonë fëmijën tim. Por besoj se dashuria dhe instinkti i nënës do të më udhëheqin në çdo hap.
Një ditë, fëmija yt mund ta shfletojë këtë numër të Class dhe të lexojë rrëfimin tënd. Çfarë do të doje të lexonte aty?
Do të doja ta dinte se sa shumë ishte dashur, ende pa ardhur në këtë botë. Se ishte ëndrra jonë më e bukur dhe se, që nga momenti kur mësova për ekzistencën e tij, zemra ime filloi të rrihte ndryshe. Dhe, mbi të gjitha, se do të ketë gjithmonë dashurinë time të pakushtëzuar.




