Adrian Hila merret në pyetje, çfarë ka deklaruar deri më tani?

Kompozitori Adrian Hila është paraqitur në Policinë e Tiranës, ku po jep dëshminë e tij lidhur me videot intime që kanë qarkulluar së fundmi në rrjetet sociale dhe që kanë shkaktuar një debat të madh publik.
Lajmi është bërë i ditur nga gazetari Eraldo Harlicaj gjatë emisionit “Top Story”, i cili raportoi se për çështjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe se verifikimet po shtrihen edhe në fushën e krimit kibernetik.
“Hila është paraqitur. Ndodhet brenda Policisë së Tiranës dhe po deponon për ngjarjen. Është ngritur një grup hetimor në lidhje me krimin kibernetik, për faktin e një kamere të fshehtë, ekzistencën e saj”, deklaroi Harlicaj.
Një nga elementet që autoritetet po verifikojnë lidhet pikërisht me pretendimet për ekzistencën e një kamere të fshehtë, si edhe me mënyrën se si materialet kanë përfunduar në internet dhe janë shpërndarë më pas në rrjetet sociale.
Sipas gazetarit, deri në këtë fazë të marrjes në pyetje Adrian Hila i qëndron versionit që ka dhënë edhe më herët, sipas të cilit materialet janë siguruar përmes ndërhyrjes së paligjshme në pajisjet ose të dhënat e tij.
“Deri më tani bëjnë me dije që Hila i qëndron faktit që videot janë hakeruar”, u shpreh Harlicaj.
Për momentin nuk është bërë e ditur nëse kompozitori është paraqitur në polici i shoqëruar nga një avokat dhe as sa do të zgjasë marrja e tij në pyetje.
Çështja ka marrë përmasa të mëdha gjatë ditëve të fundit, ndërsa disa emra të njohur të muzikës shqiptare kanë reaguar publikisht pasi janë përfshirë në aludime në rrjet, duke mohuar çdo lidhje me videot dhe duke paralajmëruar hapa ligjorë.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar origjinën e materialeve, mënyrën se si janë siguruar dhe personat që mund të kenë qenë të përfshirë në publikimin apo shpërndarjen e tyre. Deri në përfundimin e verifikimeve, versioni se videot janë “hakeruar” mbetet pretendimi i Adrian Hilës dhe jo një përfundim zyrtar i hetimit.



