A mund të jetë romantike një marrëveshje paramartesore?

Planifikimi i buxhetit, plotësimi i formularëve tatimorë së bashku, menaxhimi i dinamikave familjare dhe qëndrimi në radhë në bashki: asgjë seksi, asgjë romantike. E megjithatë, këto janë pjesë e rutinës së përditshme edhe në jetën më emocionuese martesore. Menjëherë pasi unaza vendoset në gisht, gjithnjë e më shumë çifte po diskutojnë për marrëveshjet paramartesore, një temë që sjell në vëmendje realitete jo fort joshëse.
Jo, procesi administrativ i hartimit të një marrëveshjeje paramartesore nuk është në vetvete romantik dhe nuk ka arsye të pretendojmë të kundërtën. Por ajo që kjo marrëveshje i ofron marrëdhënies, duke nxjerrë gjithçka në pah përmes një ndershmërie të pakompromis, është thellësisht romantike.
“Mendoj se të përballesh me diçka sfiduese në një marrëdhënie dhe të dalësh prej saj në të njëjtën linjë me partnerin është romantike, joshëse dhe të jep forcë”, thotë Ashley Hesseltine.
Bashkëprezantuesja e podcastit Girls Gotta Eat ka folur hapur për vendimin e saj për të lidhur një marrëveshje paramartesore me bashkëshortin e saj të tanishëm.
“Por nuk do të gënjej. Procesi i hartimit të një marrëveshjeje paramartesore është në thelb i bezdisshëm, aspak joshës dhe ndërhyrës. Është thjesht punë administrative.”
Si mund ta bëjë procesin e organizimit të dasmës më romantik
Organizimi i dasmës ka një mënyrë të veçantë për të na përfshirë në një vorbull me aranzhime lulesh, plane për vendosjen e të ftuarve në tavolina dhe mostra pëlhurash për mbulesat. Krahas gjithë festimeve, bisedat për paratë, pritshmëritë familjare dhe vlerat themelore bëhen natyrshëm pjesë e diskutimeve.
JoAnn Gregoli, organizatore e dasmave luksoze, është e të njëjtit mendim: të ndalesh për një moment dhe ta shohësh situatën në tërësi, duke diskutuar marrëveshjen paramartesore dhe themelet mbi të cilat do të ndërtohet partneriteti juaj, përpara se të filloni të zgjidhni vendin e ceremonisë, e bën të gjithë procesin e organizimit shumë më të qartë.
“Martesa nuk ka të bëjë vetëm me romancën; ajo përfshin gjithashtu financat, pronën, detyrimet dhe marrjen e vendimeve. Kur një çift e trajton këtë temë së bashku, të dy partnerët ndihen më shumë sikur po hyjnë në martesë si një skuadër dhe jo në një marrëdhënie ku njëri dikton gjithçka”, thotë ajo.
Me siguri e keni përjetuar tashmë atë ndjenjë të thellë afërsie me partnerin pas një bisede jashtëzakonisht të sinqertë dhe të ndjeshme. Kjo është pikërisht e njëjta gjë. Pas kësaj bisede, organizimi i dasmës nuk është më një periudhë e mbushur me tensione financiare, por një proces ku të dy partnerët ndihen plotësisht në një linjë me njëri-tjetrin.
Biseda është e rëndësishme, pavarësisht nëse vendosni të nënshkruani një marrëveshje apo jo
Një marrëveshje e tillë mund të jetë e dobishme, por nuk është aspak e domosdoshme të hartoni dhe të nënshkruani një dokument ligjor prej 30 faqesh për të përfituar emocionalisht nga biseda rreth marrëveshjes paramartesore. Një pjesë e rëndësishme e vlerës së saj qëndron pikërisht te hapja dhe cenueshmëria emocionale që kërkon zhvillimi i kësaj bisede.
Psikoterapistja dhe autorja Israa Nasir vëren se paratë mbeten një nga temat më tabu në marrëdhëniet moderne, duke mbartur shpesh edhe ngarkesa të fshehura emocionale.
“Bisedat konstruktive dhe mbështetëse mund të zbulojnë aspekte të vetes që përndryshe mund të mos i ndanit me partnerin: pasiguri më të thella, përvoja të mëparshme të traumave financiare, mungesën e sigurisë ekonomike gjatë fëmijërisë dhe mënyrën se si e perceptoni marrëdhënien tuaj me paranë. Nëse partneri juaj nuk e kupton përse silleni në një mënyrë të caktuar kur bëhet fjalë për paratë, është më e vështirë për të që të tregojë mirëkuptim ndaj jush”, thotë ajo.
Mund t'ju duket sikur po vendosni kufij transaksionalë në marrëdhënie ose sikur po vini bast kundër jetëgjatësisë së saj. Por, në thelb, kjo është një praktikë e ndershmërisë së pakompromis. Nëse i qaseni partnerit me kureshtje dhe jo me gjykim, mund ta ktheni shumë më lehtë një temë delikate, të mbushur me ankth dhe pasiguri, në një tjetër gur themeli të marrëdhënies suaj.
Si ta hapni këtë bisedë
Askush nuk pret me padurim ta pyesë partnerin për kreditë studentore apo llogaritë e pensionit. Mund të duket si një bisedë e vështirë për t'u nisur. Dhe kjo është krejtësisht normale.
Filloni me hapa të vegjël dhe mos i bëni presion vetes që gjithçka duhet të diskutohet në një bisedë të vetme. Biseda e parë mund të përqendrohet thjesht te mendimi i partnerit për marrëveshjet paramartesore në përgjithësi. Më pas, mund të ndani mendimet tuaja për mënyrën se si dëshironi t'i menaxhoni financat në marrëdhënien tuaj. Së fundi, kur të ndiheni gati, mund të filloni të diskutoni më konkretisht për pasuritë dhe për atë që secili dëshiron të ruajë në rast se marrëdhënia përfundon.
Këshilla e vjetër se komunikimi i tepërt nuk ekziston është më se e vlefshme edhe këtu. Madje, mund të diskutoni edhe për mënyrën se si dëshironi ta zhvilloni këtë bisedë, në mënyrë që të dy të ndiheni sa më rehat. Bini dakord që diskutimin ta nisni me empati, pa asnjë gjykim dhe me qëllime pozitive.
Kujtojini vetes se këtë diskutim mund ta ndërtoni rreth synimeve të përbashkëta dhe kujdesit të ndërsjellë.
Disa mënyra se si mund ta nisni bisedën
Hesseltine sugjeron që, përpara se të hyni në një diskutim më të thellë, ta lidhni bisedën me përvojën e një personi të tretë, për të kuptuar fillimisht reagimin e partnerit. Mund të thoni diçka të tillë: “Po dëgjoja Girls Gotta Eat dhe Ashley po tregonte për përvojën e saj me marrëveshjen paramartesore. Çfarë mendimi ke për këto marrëveshje?”
Zhvendoseni fokusin nga aspektet ligjore te mënyra se si dëshironi të ndërtoni së bashku të ardhmen tuaj financiare.
“Kam menduar për mënyrën se si do t'i menaxhojmë financat dhe synimet tona për të ardhmen pasi të martohemi. Çfarë mendon nëse lëmë pak kohë për të diskutuar pritshmëritë e secilit?”
E bën më të lehtë përballimin e një prej skenarëve më të padëshiruar
Mund të themi se është pothuajse e sigurt se askush nuk martohet me qëllimin për t'u divorcuar. Por, nëse kjo ndodh, janë ligjet ato që përcaktojnë se çfarë ndodh me të dy partnerët. Të lejosh që ligjet të vendosin fatin tuaj të përbashkët? Jo shumë romantike. Të mbrosh njëri-tjetrin? Ndoshta edhe një gjest fisnikërie.
Aswini Puvitharan, ndërmjetësuese në çështjet familjare dhe të divorcit, thekson se marrëveshjet paramartesore moderne po largohen gjithnjë e më shumë nga mentaliteti tradicional, ku palët shihen si kundërshtare.
“Marrëveshjet paramartesore shpesh prezantohen me pyetjen: ‘Si mund të mbroj atë që është e imja?’, por pikënisja më e mirë do të ishte: ‘Si do të dukej një marrëveshje e drejtë dhe që garanton siguri financiare për të dy?’ Marrëveshjet paramartesore më të menduara sot pasqyrojnë një kujdes të thellë për partnerin: ato mund të garantojnë strehim, mbështetje financiare apo mbrojtje për partnerin që ndërpret karrierën për t'iu përkushtuar rritjes së fëmijëve.”
Mbrojtja nga pakënaqësitë e mundshme apo kaosi ligjor në të ardhmen është, në vetvete, një akt dashurie.
“Duhet të ndihet sikur ju dhe partneri jeni në të njëjtën anë kundër marrëveshjes paramartesore, dhe jo sikur jeni kundër njëri-tjetrit. Është një policë sigurimi që me shumë gjasë nuk do t'ju duhet ta përdorni kurrë. Dhe nëse keni qenë mjaftueshëm të fortë për ta zgjidhur këtë çështje së bashku, në një mënyrë të shëndetshme, ka shumë mundësi që të mos keni nevojë për të kurrë”, thotë Hesseltine.
/Marrë nga The Vogue



