A mund të blihet me para një tru më i mirë?

Nga Amy O’Brien, Vogue Business
Prej vitesh përpiqemi të përmirësojmë gjithçka: nivelin e glukozës, mikrobiomën e zorrëve, cilësinë e gjumit, madje edhe moshën biologjike. Rezonancat magnetike të të gjithë trupit, unazat inteligjente dhe një arsenal terapish me dritë i kanë shndërruar trupat tanë në makineri të lidhura me pajisje që monitorojnë, matin dhe rregullojnë çdo hollësi. Por çfarë ndodh me organin që i jep kuptim gjithë kësaj? Ndërsa shtohet shqetësimi se jeta në internet dhe mbështetja gjithnjë e më e madhe tek inteligjenca artificiale po na gërryejnë aftësinë për të menduar, industria e mirëqenies ka një fiksim të ri: trurin.
Ashtu si me shumë tendenca të tjera të teknologjisë së mirëqenies, Kardashian-et u kishin paraprirë të tjerëve. Në një episod të vitit 2022 të The Kardashians, Kendall Jenner e çoi Khloé-n në Amen Clinics për një skanim SPECT, një ekzaminim që mat qarkullimin e gjakut në tru. Rezultatet u interpretuan si tregues të ankthit dhe të pasojave të traumave emocionale të së shkuarës. Në atë kohë, gjithçka dukej e tepruar: një formë vetëeksplorimi e diskutueshme nga pikëpamja shkencore, e përshtatshme sidomos për njerëz me para për të shpenzuar pa hesap.
Tani, shëndeti i trurit po del përtej kureshtjes së personazheve të famshëm dhe po hyn në industrinë luksoze të mirëqenies. Oferta shkon nga seancat e neurofeedback-ut në Mandarin Oriental Mayfair, deri te programi shtatëditor për jetëgjatësinë e funksioneve njohëse në Clinique La Prairie, në Zvicër, që kushton pak më pak se 30 mijë franga zvicerane, rreth 36 mijë dollarë. Ndërkohë, kompanitë e neuroteknologjisë po sjellin monitorimin dhe stimulimin e trurit në klinika të specializuara dhe në pajisje për përdorim në shtëpi, me shpresën që stërvitja e aftësive njohëse të bëhet po aq e zakonshme sa palestra.
Konsumatorët duket se duan të dinë më shumë. Sipas raportit të McKinsey-t, Future of Wellness 2025, 61 për qind e të anketuarve i konsiderojnë aftësitë njohëse shumë të rëndësishme. Megjithatë, shëndeti i trurit mbetet një nga fushat ku kërkesa e konsumatorëve nuk po përmbushet. Sipas raportit, këtë mungesë e ndiejnë më shumë të rinjtë, veçanërisht brezi Z.
“Për një kohë të gjatë, gjithçka përqendrohej te performanca fizike, te dëshira për të pasur trupa të bukur dhe në formën më të mirë deri në një moshë sa më të madhe”, thotë Olga Donica, drejtoreshë e inovacionit për jetëgjatësinë në klinikën luksoze Clinique La Prairie. “Tani po kalojmë te diçka shumë më e avancuar, më komplekse dhe më e sofistikuar. Dhe kjo, pa dyshim, është truri.”
Një pjesë e interesit lidhet me kërkimet në rritje mbi neuroplasticitetin. Ato kanë rrëzuar idenë se truri mbetet i pandryshueshëm pasi arrijmë moshën e rritur, duke treguar aftësinë e tij për të riorganizuar lidhjet dhe për t’u përshtatur gjatë gjithë jetës. Për markat e mirëqenies, kjo është një mundësi joshëse: nëse kanë ndërtuar biznese fitimprurëse duke na ndihmuar të përmirësojmë trupin, që të funksionojë më mirë dhe më gjatë, përse të mos bëjnë të njëjtën gjë me trurin?
Një “avantazh” mendor
Në qershor, Mandarin Oriental Mayfair i shtoi ofertës së tij të mirëqenies një program të quajtur Brain Gym, të drejtuar nga Natalia Ramsden, psikologe e performancës dhe themeluese e Sofos Associates, një kompani këshillimi për performancën njohëse. Përvoja nis me një vlerësim prej 75 deri në 90 minutash për hartëzimin e aktivitetit të trurit. Klientët mbajnë një kapuç me 24 sensorë, të cilët regjistrojnë aktivitetin elektrik ndërsa ata pushojnë ose kryejnë detyra të shkurtra njohëse.
Rezultatet shërbejnë për të hartuar rekomandime të personalizuara. Për ata që duan të vazhdojnë, ofrohet një cikël prej 10 deri në 20 seancash neurofeedback-u, gjatë të cilave një lojë në ekran reagon në kohë reale ndaj aktivitetit të trurit të tyre. Disa klientë rikthehen për seanca mirëmbajtjeje dhe rivlerësime. “Nuk vjen në formë me një seancë të vetme në palestër. Me trurin nuk është ndryshe”, thotë Ramsden.
Mjedisi është shumë larg atij të një ordinancë mjekësore. Seancat zhvillohen në rezidencat private dhe suitat e hotelit, megjithëse shumica e rezervimeve vijnë nga klientë të jashtëm. Kryesisht janë drejtues biznesesh, themelues kompanish dhe sipërmarrës që punojnë në zonën e Mayfair-it.
“Punoj me drejtues, themelues dhe investitorë që tashmë kanë rezultate të mira dhe duan të vazhdojnë kështu edhe nën presion të vazhdueshëm”, shpjegon ajo. “Shumë vijnë tek ne në gjendje alarmi të përhershëm. Nuk arrijnë të çlodhen mendërisht, gjumi u dëmtohet dhe, nën presion, vëmendja u ngushtohet pikërisht kur kanë më shumë nevojë ta shohin situatën në tërësi.”
Ramsden e quan këtë investim në performancën mendore “kapital njohës”. Ndërsa jeta profesionale zgjatet dhe varësia nga teknologjia nxit shqetësime për mprehtësinë mendore, ajo thotë se klientët e saj janë gjithnjë e më të rinj. “Prej vitesh flasim për jetëgjatësinë dhe për vitet që jetojmë në shëndet të mirë. Tani njerëzit kanë filluar të flasin për brainspan, vitet gjatë të cilave truri ruan funksionimin e mirë”, shton ajo.
Për hotelet luksoze, kjo mund të hapë një fushë të re në shërbimet e mirëqenies, duke u ofruar mundësinë të ndërtojnë marrëdhënie afatgjata me klientë të pasur, përtej qëndrimeve të tyre të herëpashershme.
Ndërsa Sofos u shërben profesionistëve që shpresojnë të ruajnë mprehtësinë mendore, Clinique La Prairie merret me një shqetësim të afërt: çfarë ndodh kur kjo mprehtësi fillon të zbehet me moshën?
Donica thotë se programi Brain Potential tërheq kryesisht profesionistë të pasur, nga fundi i të dyzetave deri në fillim të të gjashtëdhjetave. Shpesh janë në kulmin e karrierës, por kanë filluar të vërejnë ndryshime në aftësitë e tyre njohëse. Raportojnë probleme me kujtesën, stresin, rikuperimin dhe vendimmarrjen. “Drejtojnë kompani të mëdha, zotërojnë pasuri të mëdha. Prandaj kanë nevojë të jenë të mprehtë mendërisht”, thotë Donica.
I zhvilluar gjatë dy vjetëve, në bashkëpunim me Spitalin Universitar të Lozanës, programi shtatëditor në klinikën e Montreux-së kombinon rezonancën magnetike dhe analizën e vëllimit të trurit me teste njohëse, ekzaminime gjenetike, matjen e treguesve të inflamacionit, analizën e mikrobiomës së zorrëve dhe ekzaminime kardiovaskulare.
Klientëve u llogaritet një “moshë njohëse”. Rezultatet përdoren për të hartuar plane të personalizuara ushqyerjeje, aktiviteti fizik dhe stërvitjeje të aftësive njohëse. Secili ka në dispozicion një ekip prej pesë personash: një mjek, një specialist ushqyerjeje, një terapist, një ekspert të lëvizjes dhe një specialist për marrëdhëniet me klientët. Në përfundim marrin një plan të personalizuar tremujor për stërvitjen e aftësive njohëse, ndërsa vlerësimet e mëvonshme i lejojnë klinikës t’i përshtatë rekomandimet me kalimin e kohës.
Por aftësia për të matur më shumë aspekte të shëndetit të trurit nuk nënkupton domosdoshmërisht aftësinë për t’i përmirësuar ato. Donica thotë se klinika po mbledh të dhëna nga vëzhgimi i klientëve, duke pranuar se këto nuk mjaftojnë për të bërë pohime shkencore mbi efektshmërinë e programit. Këtu del në pah një kundërthënie: sa më i lartë çmimi dhe sa më të sofistikuara ekzaminimet, aq më joshës bëhet premtimi i personalizimit, edhe pse provat për përfitime të qëndrueshme në aftësitë njohëse mbeten të kufizuara.
Një stërvitje për trurin
Në segmentin më të përballueshëm të tregut, bizneset po përpiqen ta kthejnë kujdesin për trurin nga një luks që konsumatorët ia lejojnë vetes herë pas here, në një pjesë të rregullt të rutinës së tyre të mirëqenies.
Naya Health, me seli në Londër, e themeluar në vitin 2025 nga Daniel dhe Emily Honeywell, është pjesë e një vale të re klinikash që po e sjellin stimulimin e trurit në tregun e mirëqenies. Ajo ofron stimulim magnetik transkranial të përsëritur, të njohur si rTMS. Ky trajtim joinvaziv përdor impulse magnetike për të stimuluar zona të caktuara të trurit. Krahas përdorimit për probleme shëndetësore, tani promovohet edhe për optimizimin e aftësive njohëse.
Bashkëthemeluesit janë shumë optimistë për potencialin e teknologjisë. Ata reklamojnë përfitime që shkojnë nga lehtësimi i depresionit, ankthit dhe lodhjes kronike, deri te përmirësimi i përqendrimit, vendimmarrjes dhe performancës sportive.
Honeywell e krahason stimulimin e trurit me fizioterapinë: “një stërvitje për trurin”, e cila duhet përshtatur me gjendjen e personit, në vend që të zbatohet me një intensitet të pandryshueshëm. Klinika nuk e trajton stimulimin si një ndërhyrje të vetme, por i nxit klientët të rikthehen për seanca mirëmbajtjeje. Disa drejtues biznesesh dhe sportistë rezervojnë edhe seanca shtesë përpara takimeve ose garave të rëndësishme.
Aktualisht, rreth 80 për qind e klientëve të Naya-s kërkojnë trajtim për probleme kronike shëndetësore, ndërsa 20 për qind vijnë për optimizimin e aftësive. Seancat e optimizimit kushtojnë rreth 300 dollarë, ndërsa ato për problemet kronike afërsisht 470 dollarë. Disa cikle më të gjata trajtimi mund të arrijnë në rreth 10.700 dollarë.
“Modeli tradicional funksionon si një transaksion: njerëzit ndihen të sëmurë dhe pastaj marrin trajtim”, thotë Daniel. “Gjithnjë e më shumë, njerëzit duan parandalim afatgjatë dhe kujdes paraprak që t’i mbajë mirë, ashtu siç shkojnë në palestër për të ruajtur shëndetin fizik. Pas pesë vjetësh, ta pyesësh dikë për rutinën e kujdesit për trurin do të jetë po aq normale sa ta pyesësh për rutinën e kujdesit për lëkurën.”
Dhe investimet nuk po i tërheq vetëm stimulimi i trurit. Kompania e neuroteknologjisë Myndspan po ndërton një biznes që përqendrohet te matja e aktivitetit të trurit, jo te trajtimi. Ajo ofron vlerësime prej 600 paundësh duke përdorur magnetoencefalografinë, MEG, një teknologji tradicionalisht e kufizuar në spitale dhe laboratorë kërkimorë. Ekzaminimet regjistrojnë sinjalet magnetike të prodhuara nga aktiviteti nervor, duke u dhënë klientëve një pamje të funksionimit të trurit dhe një vlerësim të moshës njohëse.
Bashkëthemeluesja dhe drejtoresha ekzekutive Caitlin Baltzer thotë se ambicia e saj afatgjatë është që skanimet e trurit të bëhen kontrolle të rregullta shëndetësore, në vend që të mbeten procedura mjekësore të specializuara. “Vlera që kanë sot qëndron tek informacioni që ofrojnë dhe te mundësia për të krijuar një historik personal”, shprehet Baltzer. “Demonstrimi i përfitimeve afatgjata është puna që kemi përpara.”
Teknologjia e trurit po hyn te pajisjet që mbajmë në trup
Përtej hoteleve luksoze dhe klinikave të specializuara, dhjetëra kompani të neuroteknologjisë po e përfshijnë monitorimin dhe stimulimin e trurit në pajisje që mund të mbahen çdo ditë në trup.
Muse, prodhuesi i shiritave për kokën që përdorin EEG-në, elektroencefalografinë, një teknologji që mat aktivitetin elektrik të trurit, prezantoi në fillim të këtij muaji funksionin Brain Age. Ai të kujton Whoop Age, një nga funksionet më të njohura të Whoop-it, dhe vlerëson nëse aktiviteti i trurit të 500 mijë përdoruesve të Muse duket më i ri apo më i vjetër se mosha e tyre biologjike.
Vlerësimet e vazhdueshme javore kërkojnë një abonim premium, duke krijuar një tjetër burim të mundshëm të ardhurash. Megjithëse pajisjet EEG për konsumatorët kanë sinjal më të dobët krahasuar me pajisjet laboratorike, drejtoresha e marketingut Nadia Kumentas argumenton se matjet e përsëritura ofrojnë një avantazh tjetër. “Në këmbim, merrni të dhëna nga jeta reale, natë pas nate”, thotë ajo.
Kompania e neuroteknologjisë Neurable ka integruar sensorë EEG në kufje prej 499 dollarësh, që reduktojnë zhurmat, për të monitoruar përqendrimin dhe lodhjen mendore. Por themeluesi dhe drejtori ekzekutiv Ramses Alcaide sheh më shumë potencial te licencimi i teknologjisë për prodhues të tjerë, përfshirë markat e mëdha të pajisjeve që mbahen në trup. “Besojmë se matja e aktivitetit të trurit do të bëhet përfundimisht një funksion standard i këtyre pajisjeve, njësoj si matja e rrahjeve të zemrës dhe monitorimi i gjumit sot”, thotë ai.
Të tjerë po kalojnë nga matja te ndërhyrja. Pulsetto, që prodhon pajisje për stimulimin e nervit vagus të cilat vendosen në qafë, i pa të ardhurat të rriteshin nga afërsisht 9 milionë dollarë në vitin 2024, në më shumë se 40 milionë dollarë në vitin 2025, sipas bashkëthemeluesit dhe drejtorit ekzekutiv Povilas Sabaliauskas.
“Të dhënat, të vetme, nuk e ndryshojnë mënyrën si ndihesh. Tani konsumatorëve u duhet një mënyrë praktike për të vepruar mbi gjithë informacionin që kanë për shëndetin e tyre”, shprehet Sabaliauskas.
Kjo pasqyron një prirje më të gjerë në tregun e teknologjisë për jetëgjatësinë dhe mirëqenien: pasi për vite u shitën konsumatorëve informacion për trupin e tyre, kompanitë po u shesin gjithnjë e më shumë ndërhyrje për të ndryshuar mënyrën si ai funksionon. Ndërsa teknologjia bëhet më e lehtë për t’u mbajtur me vete dhe pengesa e çmimit ulet, shtohen edhe mundësitë që markat e mirëqenies, hotelet luksoze dhe qendrat spa të shesin premtimin e një truri më të mprehtë.
Por ekspertët paralajmërojnë se të identifikosh një treg është një gjë; të provosh se këto produkte funksionojnë realisht është diçka tjetër. Veçanërisht kur pretendohet se përdorime të sofistikuara terapeutike, të lidhura me neuroshkencën, mund të përshtaten në pajisje të zakonshme për përdorim në shtëpi.
Isaac Treves, studiues postdoktoral në Universitetin Columbia, që merret me imazherinë e trurit, vëmendjen e ndërgjegjshme dhe aftësinë për të përballuar vështirësitë, është veçanërisht skeptik ndaj pajisjeve të neurofeedback-ut për konsumatorët, si Muse. Përtej vështirësive për të regjistruar sinjale të besueshme EEG jashtë laboratorit, ai vë në dyshim sa mund të na tregojnë këto sinjale për gjendje mendore më subjektive dhe më komplekse.
“Në të vërtetë, nuk dimë të parashikojmë nga sinjalet e trurit nëse jeni të përqendruar apo po meditoni qetësisht”, thotë ai, duke argumentuar se “algoritmi i Muse mbështetet kryesisht në hamendësime”.
“Fatkeqësisht, provat shkencore për pajisjet e neurofeedback-ut si Muse janë jashtëzakonisht të kufizuara dhe, me shumë gjasë, ndikohen nga efekti placebo”, shton ai.
Luksi për ta lënë mendjen të pushojë
Asgjë nga kjo nuk do të thotë se kujdesi për trurin është i destinuar të bëhet një tjetër modë e mirëqenies që do të harrohet. Shqetësimet për plakjen e funksioneve njohëse janë reale dhe Treves mbetet optimist për potencialin e teknologjive që matin dhe ndikojnë aktivitetin e trurit.
Megjithatë, zhvillimi tregtar i industrisë po ecën më shpejt se provat që mbështesin disa nga pretendimet e saj më ambicioze. Treves beson se një neuroshkencë gjithnjë e më e personalizuar, e mbështetur nga sasi më të mëdha të dhënash dhe inteligjenca artificiale, mund të sjellë përparime domethënëse në të ardhmen. Për momentin, këshillat e tij për përmirësimin e mirëqenies njohëse nuk kërkojnë ndonjë “riprogramim” të trurit.
“Zakone të mira gjumi dhe aktiviteti fizik, lidhje të mira shoqërore, kërkimi i kuptimit në jetën tuaj dhe të gjitha ato gjëra të qarta që na thonë prindërit”, këshillon ai.
Për markat luksoze të mirëqenies dhe hotelerisë, në lojë është reputacioni. Kur shet premtimin e një truri më të mirë, besueshmëria shkencore ka më shumë rëndësi sesa personalizimi deri në hollësinë më të vogël apo mjediset luksoze.
Ekziston edhe një pyetje më e sikletshme: a rrezikon përpjekja për ta “optimizuar” trurin të bëhet një tjetër barrë për mendjet tona tashmë të mbingarkuara?
“Ekziston një ankth i përgjithshëm për të ndjekur çdo risi, për të qenë më të mirët dhe për të regjistruar e matur gjithçka”, thotë Ramsden, themeluesja e Sofos. “Monitorimi mund të jetë shumë i dobishëm, por mund të ketë edhe efektin e kundërt.”



