A mund ta tradhtosh dikë me një videolojë?

Nga Class• 25 November 2026

A mund ta tradhtosh dikë me një videolojë?

Çfarë ndodh kur dikush kalon orë të tëra duke flirtuar, duke u takuar dhe duke zhvilluar lidhje emocionale me një person që ekziston ekskluzivisht në ekranin e kompjuterit të tij? Përvoja gjithnjë e më realiste e videolojërave nxjerr në pah një “brengë” të re rreth marrëdhënieve moderne: Ku mbaron loja dhe ku fillon pabesia?

Diskutimi përqendrohet rreth lojës Grand Theft Auto 6 (GTA 6) të Rockstar, e cila, sipas një raporti të BBC , fitoi 3.8 miliardë dollarë në ditën e parë të publikimit. Loja përqendrohet në dy personazhe, Jason dhe Lucia, një çift në stilin e Bonnie dhe Clyde. E ndërsa marrëdhënia e tyre romantike nuk është një parakusht që historia të përparojë, lojtarët mund të krijojnë një lidhje me ta përmes aktiviteteve të përditshme: duke dalë për të ngrënë, duke vizituar bare, duke bërë pazar ose duke u stërvitur së bashku.

Këto sjellin përsëri një dilemë që i ka munduar lojtarët për dekada të tëra, por që tani merr dimensione të reja: A mund të konsiderohet investimi emocional në një personazh imagjinar pabesi ndaj partnerit të jetës reale ?

 

Një në katër persona do të shqetësohej nga flirtimi digjital

Një sondazh i YouGov me më shumë se 4,000 të rritur në Britani në shtator zbuloi pikëpamje të ndryshme mbi këtë çështje. Gjashtë përqind e të anketuarve thanë se do ta konsideronin të pasurit një marrëdhënie romantike me një personazh të një videoloje si tradhti, ndërsa një 19 përqind e tjerë thanë se nuk do ta quanin domosdoshmërisht tradhti, por nuk do të ndiheshin rehat me këtë sjellje.

Në përgjithësi, një në katër veta shprehën një qëndrim negativ ndaj flirtimit digjital. Gratë dukshëm e kishin këtë qëndrim më të theksuar se burrat.

A mund ta tradhtosh dikë me një videolojë?

 

Por ka qëndrime të ndryshme. 

Alli Franco, 30 vjeçe, krijuese e përmbajtjes së animeve dhe videolojërave në TikTok, ku ajo ka më shumë se një milion ndjekës, i tha BBC-së se e kishte parë reagimin online me zhgënjim.

"Nëse partneri juaj ndihet i pasigurt për shkak të një personazhi fiktiv, atëherë ai ka nevojë për një vetëanalizë serioze", tha ajo.

Siç argumentoi ajo është diçka e ngjashme me ngazëllimin që dikush mund të ndiejë për një aktor apo yll të famshëm televiziv, me ndryshimin se në rastin e një loje video nuk ka as një person të vërtetë me të cilin mund të zhvillohet një marrëdhënie.

Megjithatë, jo të gjithë pajtohen me këtë qasje. Në komentet poshtë një videoje të lidhur, disa përdorues theksuan se nuk është vetëm natyra e personazhit digjital që ka rëndësi, por edhe mënyra se si përfshirja e lojës ndikon në marrëdhënien në jetën reale .

"Nëse po anuloni planet me partnerin tuaj ose po e ktheni intimitetin tuaj emocional dhe romantik drejt një personazhi fiktiv, atëherë kjo është paksa e çuditshme", komentoi një përdorues.

 

A mund ta tradhtosh dikë me një videolojë?

 

Pse i pranojmë emocionalisht personazhet fiktivë

Në videolojërat e sotme, si GTA 6, mundësitë janë shumë më të mëdha se në të kaluarën. Personazhet i përgjigjen zgjedhjeve të ndryshme dhe marrëdhëniet zhvillohen në një mënyrë që i ngjan gjithnjë e më shumë ndërveprimeve reale njerëzore.

Arienne Ferchaud, një profesoreshë e asociuar në Universitetin Shtetëror të Floridës, studion se si njerëzit zhvillojnë lidhje me personazhe fiktivë.

“Sa më të sofistikuara bëhen lojërat, aq më pak gjasa ka që lojtarët të shkëputen nga përvoja. Lojërat po bëhen gjithnjë e më të mira në imitimin e realitetit dhe marrëdhënieve shoqërore”, tha ajo.

Një realizëm më i madh rrit ndjenjën e pjesëmarrjes së lojtarit në botën virtuale. Kjo nuk do të thotë që personazhi digjital fiton emocione të vërteta, por që përvoja mund të bëhet më personale për lojtarin njerëzor.

Hapi tjetër në evolucionin e marrëdhënieve digjitale pritet të vijë nga Inteligjenca Artificiale. Në të ardhmen, personazhet digjitalë mund të jenë në gjendje të kujtojnë takimet e mëparshme, të përshtasin sjelljen e tyre sipas zgjedhjeve të lojtarëve dhe të krijojnë marrëdhënie që evoluojnë me kalimin e kohës.

Profesoresha Arienne Ferchaud beson se aftësi të tilla mund ta rrisin më tej angazhimin emocional të lojtarëve.

“Mund të krijohen marrëdhënie që duken më të qëndrueshme ose më të veçanta”, vëren ajo.

Megjithatë, ajo sqaron se inteligjenca artificiale e sotme nuk krijon lidhje të vërteta emocionale. Në vend të kësaj, ajo mund të ndërtojë “një iluzion më të fortë” të një marrëdhënieje, e cila bëhet gjithnjë e më bindëse për përdoruesin.

 

Kur mund të ndikojë loja në një marrëdhënie të vërtetë?

Prandaj, pyetja nuk kufizohet vetëm në faktin nëse flirtimi me një personazh digjital përbën pabesi, por ka të bëjë edhe me kohën, vëmendjen dhe energjinë emocionale që dikush i kushton një marrëdhënieje virtuale, veçanërisht kur këto fillojnë të ndikojnë në jetën e përditshme me partnerin e tij të vërtetë.

Sakaq, Alli Franco mbetet e vendosur, edhe përballë mundësive të reja të IA-së.

"Mund ta imagjinoj patjetër që IA-ja të integrohet në lojëra dhe ta bëjë përvojën më realiste. Por edhe nëse kjo ndodh, unë do ta shihja thjesht si një lojë. Në fund të fundit, nuk mund ta mashtrosh dikë me rreshta kodi", tha ajo.

 

 

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon