“A je rahat pa mu”, publikohet kënga e Shpat Kasapit, Selvija zbulon historinë e dhimbshme pas saj

Nga Class• 12 October 2026

“A je rahat pa mu”, publikohet kënga e Shpat Kasapit, Selvija

Një tjetër këngë e Shpat Kasapit ka mbërritur te publiku pas ndarjes së tij nga jeta, por këtë herë titulli dhe historia që fshihet pas projektit e bëjnë publikimin edhe më emocional.

“A je rahat pa mu” ishte një nga këngët që Shpati kishte përgatitur pak përpara se të planifikohej pjesëmarrja e tij në “Big Brother VIP Albania 5”, një eksperiencë që ai nuk arriti ta jetonte.

Selvije Jao ka treguar përmes një postimi në Instagram se, në atë periudhë, Shpati i kishte dërguar katër versione demo dhe i kishte kërkuar të zgjidhte këngën që i pëlqente më shumë. Mes tyre, ajo zgjodhi pikërisht “A je rahat pa mu”.

Në planet fillestare, projekti do të publikohej gjatë kohës që këngëtari do të ishte brenda shtëpisë së “Big Brother VIP”. Por ndarja e tij e parakohshme nga jeta në nëntor të vitit të kaluar ndryshoi gjithçka.

Kënga mbeti pezull për disa muaj, derisa producenti Anton Prendi mori përsipër ta përfundonte rreth muajve mars dhe prill. Selvija ka falënderuar gjithashtu Arti Rec dhe Imperial B për kontributin në realizimin e projektit.

Megjithatë, edhe pasi kënga ishte gati, ajo nuk arriti ta publikonte menjëherë.

Për Selvijen, materiali nuk ishte më vetëm një projekt muzikor i Shpatit. Pas humbjes së tij, çdo varg dhe sidomos vetë titulli kishin marrë një kuptim krejt tjetër.

“Sot, titulli ‘A je rahat pa mu’ më dhemb më shumë se çdo fjalë tjetër”, ka shkruar ajo.

 

Për këtë arsye, publikimi u shty për muaj të tërë. Selvija ka treguar se nuk ndihej emocionalisht gati ta ndante këngën me publikun, edhe pse e dinte se ishte një nga projektet që Shpati kishte lënë pas dhe që duhej të përfundonte.

Tani “A je rahat pa mu” është publikuar dhe për familjen e tij ka një peshë shumë më të madhe se ajo e një kënge të zakonshme.

Selvija e konsideron projektin një lloj amaneti artistik, një tjetër pjesë të zërit dhe punës së Shpatit që vazhdon të jetojë edhe pas tij.

Dhe ajo që dikur ishte menduar si një këngë që do të shoqëronte një kapitull të ri televiziv të këngëtarit, sot dëgjohet krejt ndryshe. Vetë titulli, “A je rahat pa mu”, është kthyer për Selvijen në një pyetje që koha dhe humbja e kanë bërë shumë më të dhimbshme.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon