A funksionojnë vërtet pikat për drenazhin limfatik?

Në një botë të fiksuar pas «detoksit», drenazhi limfatik mbetet një nga praktikat më të kërkuara. Ndaj nuk është çudi që pikat që premtojnë përmirësimin e qarkullimit të limfës janë kthyer në prirjen e radhës që po përhapet me shpejtësi në rrjetet sociale.
Këto pika janë preparate të lëngshme me përzierje bimësh, të cilave u atribuohen veti për forcimin e imunitetit dhe «pastrimin» e organizmit. Në teori tingëllon mirë, por ekspertët nuk nxitojnë t’i mbështesin këto pretendime.
Siç shpjegon Sandra Chiu, akupunkturiste dhe themeluese e Lanshin, drenazhi limfatik është larguar shumë nga përdorimi i tij fillestar: ndihma për personat që kanë probleme me funksionimin e sistemit limfatik. Sot termi përdoret gjerësisht si sinonim i uljes së fryrjes dhe ënjtjes, duke i shtyrë shumë njerëz drejt trajtimeve për të cilat mund të mos kenë fare nevojë.
«Njerëzit vërejnë ënjtje në fytyrë ose fryrje në trup dhe mendojnë menjëherë se sistemi i tyre limfatik është i bllokuar, edhe kur janë plotësisht të shëndetshëm», thotë Chiu për Vogue. «Shoh që termi “drenazh limfatik” përdoret për të shitur gjithçka: nga masazhet e fytyrës dhe gua sha, te trajtimet për formësimin e trupit, produktet “detoks” dhe, tani, suplementet bimore.»
Prandaj, përpara se të blini pikat që ju shfaqen vazhdimisht në rrjetet sociale, ia vlen të kuptoni çfarë qëndron pas premtimeve të tyre.
A e përmirësojnë vërtet qarkullimin e limfës?
Ekspertët janë skeptikë.
«Nuk shoh prova që pikat për drenazhin limfatik e shtojnë realisht qarkullimin e limfës», thotë Amanda Kahn, mjeke interniste dhe specialiste e mjekësisë së jetëgjatësisë.
Ajo shpjegon se lëvizja e limfës ndihmohet nga tkurrjet e muskujve skeletorë, aktiviteti fizik, frymëmarrja dhe graviteti. Sipas saj, ndër metodat me më shumë mbështetje nga provat janë ushtrimet fizike, kompresioni dhe drenazhi limfatik manual.
Disa nga përbërësit e këtyre pikave mund të kenë një efekt të lehtë diuretik, pra të shtojnë urinimin. Por nxjerrja e ujit përmes veshkave dhe rrugëve urinare nuk është e njëjta gjë me drenazhin limfatik.
«Disa persona mund t’i marrin këto pika dhe të vërejnë vërtet më pak fryrje apo ënjtje. Megjithatë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se suplementi ka përmirësuar qarkullimin e limfës», shton Kahn. «Provat nuk janë mjaftueshëm të forta që t’i rekomandoj këto pika posaçërisht për përmirësimin e funksionit limfatik.»
Chiu ndan të njëjtin qëndrim: «Këto pika nuk kanë një objektiv të qartë, rezultatin e të cilit mund ta matësh apo ta ndiesh. Kjo është arsyeja pse jam skeptike. Bimët mjekësore kanë veprim të fuqishëm dhe duhen përdorur për arsye konkrete e të përcaktuara mirë.»
A kanë ndonjë përfitim?
Disa nga bimët që gjenden në këto preparate lidhen me përfitime si mbështetja e sistemit imunitar, përmirësimi i funksionit të zorrëve dhe nxitja e qarkullimit të gjakut.
Megjithatë, Chiu thekson se përdorimi i një bime për një nyjë limfatike apo gjëndër të fryrë nuk mjafton për të arritur në përfundimin se ajo mund të trajtojë edhe ënjtjen e fytyrës.
«Bimët mund të kenë përfitime, por të bëjnë dobi kur ke realisht nevojë për to», shprehet ajo. «Emërtimi “pika për drenazh limfatik” lidhet më shumë me marketingun sesa me një përdorim të drejtë të bimëve mjekësore.»
Kahn pajtohet: «Problemi kryesor është se “pikat për drenazh limfatik” janë një kategori tregtare, jo një trajtim i standardizuar apo mjekësor. Përbërja e produkteve mund të ndryshojë shumë nga njëri te tjetri.»
Cilat janë rreziqet?
Sipas Chiu-t, mund të përfundoni duke marrë bimë për të cilat organizmi juaj nuk ka nevojë. Vetë emërtimi i kësaj kategorie është i paqartë dhe mbështetet kryesisht te marketingu.
«Veprimi real i bimëve nuk përputhet domosdoshmërisht me premtimin që mbart emri i produktit», thotë ajo.
Chiu këshillon kujdes veçanërisht për personat me probleme të tretjes, pasi disa nga bimët e përdorura në këto formula mund t’i përkeqësojnë shqetësimet. Kahn përmend si efekte të tjera të mundshme dehidratimin dhe çrregullimin e ekuilibrit të elektroliteve.
Nëse merrni ilaçe, Chiu rekomandon të këshilloheni fillimisht me mjekun përpara se të përdorni preparate bimore, sepse bimët mund të ndërveprojnë me disa barna. Kahn shton se personat që marrin diuretikë ose që kanë sëmundje të mëlçisë, veshkave apo zemrës duhet t’i shmangin këto produkte.
Edhe pse Chiu përmend mundësinë e organizimit të përdorimit të bimëve me ndërprerje të rregullta «për shembull, pesë ditë përdorim dhe dy ditë pushim» ajo thekson se është më mirë që përdorimi i tyre të ndiqet nga një profesionist i licencuar, sesa të përcaktohet vetë.
A duhet t’i përdorim?
«Jo, nuk do t’i rekomandoja pikat për drenazhin limfatik», thotë Chiu. «Si specialiste e bimëve mjekësore, e di që përdorimi më i efektshëm dhe më i sigurt i tyre kërkon saktësi.»
Ajo shpjegon se përzgjedhja e bimëve nga një profesionist i licencuar, sipas nevojave konkrete të personit, është më e dobishme dhe më e sigurt sesa përdorimi i një formule të gatshme që premton përfitime të përgjithshme.
«T’i japësh “pika limfatike” dikujt që mendon se ënjtja e mëngjesit në fytyrë tregon një problem me drenazhin e limfës, thjesht nuk është mënyra si duhet praktikuar mjekësia bimore», shprehet ajo. «Kjo qasje nuk mbështetet në parimet e përdorimit të drejtë të bimëve mjekësore.»
Çfarë e ndihmon realisht qarkullimin e limfës?
Chiu e rendit ecjen ndër mënyrat më të mira për të mbështetur qarkullimin e shëndetshëm të limfës. Lëvizja e rregullt dhe ushtrimet e lehta janë mënyra të thjeshta për ta ndihmuar këtë proces.
«Më pëlqen veçanërisht ecja pa mbajtur asgjë në duar», thotë ajo. «Pa telefon, çantë apo çantë shpine: thjesht lërini krahët të lëkunden natyrshëm dhe trupin të lëvizë.»
Një tjetër mënyrë është frymëmarrja. Siç shpjegon Chiu, lëvizja e diafragmës dhe ndryshimet e presionit që e shoqërojnë mund ta ndihmojnë limfën të lëvizë nëpër trup. Ajo përmend gjithashtu teknikën gua sha, e cila, sipas saj, ndihmon në çlirimin e tensionit muskulor dhe në përmirësimin e qarkullimit të limfës dhe të gjakut.
Kahn shton se edhe kompresioni mund të jetë i dobishëm. Për shembull, veshjet kompresive, si getat e posaçme, mund të ofrojnë mbështetje mekanike për qarkullimin dhe lëvizjen e limfës.
Në rast paqartësie, ajo këshillon t’i drejtoheni një terapisti të certifikuar për drenazhin limfatik.



