A e theu Tom Cruise protokollin me Kate Middleton?

Katër vjet pas një momenti që bëri xhiron e mediave ndërkombëtare, Tom Cruise e bëri sërish.
Në premierën londineze të filmit të tij të ri Digger, aktori i zgjati dorën Kate Middleton për ta ndihmuar teksa zbriste shkallët e Leicester Square, një gjest galant që riktheu menjëherë në kujtesë premierën e Top Gun: Maverick në vitin 2022.
Atëherë Kate ishte ende Dukesha e Cambridge dhe, sipas mënyrës si u interpretuan pamjet, dukej disi e sikletosur nga afërsia e papritur e Cruise. Kamerat e kapën duke ndryshuar dorën ku mbante clutch-in, një lëvizje që në atë kohë u lexua si përpjekje për të shmangur një tjetër kontakt fizik me aktorin.
Më 22 shtator 2026, skena u përsërit.
Kate, tashmë Princeshë e Uellsit, mbërriti në premierën e Digger përkrah Princit William, e veshur me një fustan Jenny Packham dhe me bizhuteri që lidhen me Lady Diana-n. Mes të ftuarve ishte edhe David Beckham.
Dhe pikërisht në shkallët e Leicester Square, Cruise i zgjati sërish dorën për ta shoqëruar.
Këtë herë, megjithatë, Kate u duk shumë më e qetë. Asnjë moment i dukshëm tensioni, asnjë përpjekje për t’u tërhequr. Vetëm një gjest i shkurtër dhe formal, i kaluar me buzëqeshje.
Clutch-i si “mburojë” nga kontakti fizik
Historia e clutch-it të Kate-s është bërë pothuajse pjesë e folklorit mbretëror.
Për vite me radhë është thënë se gratë e familjes mbretërore i përdorin çantat e vogla edhe si një mënyrë për të menaxhuar kontaktin fizik në evente publike.
Edhe Mbretëresha Elizabeth II njihej për mënyrën shumë të kontrolluar me të cilën menaxhonte përshëndetjet, duke vendosur vetë ritmin dhe kohëzgjatjen e një shtrëngimi duarsh.
Ekziston madje edhe një histori, më shumë legjendë urbane sesa fakt i dokumentuar, sipas së cilës ajo përdorte një dorë false për të shmangur disa përshëndetje.
Në rastin e Kate-s, clutch-i shpesh është interpretuar si një mënyrë elegante për të ruajtur distancën kur situata e kërkon.
Por në premierën e Digger, nuk dukej se kishte nevojë për të.
Tom Cruise, i cili prej kohësh nuk e fsheh admirimin për çiftin mbretëror, tha pas eventit për William dhe Kate: “I dua. Janë njerëz të jashtëzakonshëm.”
A mund t’i prekësh anëtarët e familjes mbretërore?
Në të vërtetë, ideja se ekziston një rregull absolut sipas të cilit “nuk duhet të prekësh kurrë një royal” është më shumë mit sesa protokoll i shkruar.
Nuk ka një ndalim formal të kontaktit fizik.
Ka, megjithatë, rregulla etike dhe sociale që lidhen me rangun, formalitetin dhe respektimin e hapësirës personale.
Në një kontekst zyrtar, praktika tradicionale është të presësh që anëtari i familjes mbretërore të nisë përshëndetjen. Shtrëngimi i dorës duhet të jetë i shkurtër dhe i matur, ndërsa kontaktet tepër familjare, si përqafimet e papritura, prekjet në shpinë apo gjestet shumë intime, zakonisht shmangen.
Me Elizabeth II këto kufij ishin shumë më të dukshëm.
Por me brezin e ri të familjes mbretërore, distanca fizike është zbutur ndjeshëm.
Kate dhe William janë fotografuar shpesh duke përqafuar njerëz, duke bërë selfie dhe duke qenë shumë më spontanë në evente publike. Kate është veçanërisht e afërt me fëmijët dhe prindërit gjatë angazhimeve që lidhen me fëmijërinë e hershme, një nga temat kryesore të punës së saj.
Edhe Mbretëresha Camilla ka ruajtur një mënyrë shumë më të drejtpërdrejtë dhe të ngrohtë komunikimi, me përqafime dhe puthje miqësore në evente të ndryshme.
Pra, Tom Cruise nuk duket se ka kryer ndonjë “shkelje protokolli” në kuptimin formal të fjalës.
Ai thjesht bëri atë që bëri edhe katër vjet më parë: u soll si një gentleman amerikan përballë një princeshe britanike.
Vetëm se këtë herë, Kate dukej shumë më pak e habitur.



