A do të këndonte Miri në dasmën e Selin? Përgjigjja e tij

Marrëdhënia mes Mirit dhe Selin Bollatit ishte një prej më të komentuara gjatë “Big Brother VIP Albania 5” dhe duket se vazhdon të prodhojë kureshtje edhe muaj pas përfundimit të reality show-t.
I ftuar në emisionin “She’s On Air”, Armir Shahini u pyet për çiftet e krijuara gjatë edicionit të pestë, por zgjodhi të mos komentonte mbi jetën e tyre sentimentale.
“Unë nuk kam asnjë lloj komenti për çiftet që janë krijuar atje. Gjithsecili sheh jetën e tij, të vazhdojnë të jetojnë të lumtur”, tha Miri.
Por moderatoret e çuan bisedën një hap më tej, duke e pyetur nëse do të pranonte të merrte pjesë në dasmat e ish-banorëve, në rast se do të merrte një ftesë.
“Po ku di unë, të vijë ftesa, të shohim”, u përgjigj ai.
Kur iu sugjerua që ta thoshte që tani se do të shkonte, duke qenë se ka deklaruar se nuk mban inate, Miri këmbënguli se gjithçka do të varej nga situata.
“Unë jam njerëzor, inate nuk mbaj, jam sjellë çun korrekt. Njerëzit e dinë vetë”, u shpreh ai.
Pyetja më konkrete erdhi më pas: nëse Selin do ta ftonte në dasmën e saj, a do të shkonte dhe madje a do të këndonte?
Miri shmangu një përgjigje përfundimtare, duke shpjeguar me humor se çfarëdo që të thotë mund të interpretohet në mënyrën e gabuar.
“Po si mund të shkoj në dasmë pa ardhur ftesa? Duhet me e pa situatën si të vjen.”
“Aman se po thashë unë do të shkoj në dasmë, do thonë ‘ai do të shkojë në dasmë, kush po të fton ty’. Po thashë nuk do të shkoj në dasmë, ‘zbrit se të vrava, hip se të vrava’ ky muhabet”, përfundoi ai.
Miri dhe Selin nisën eksperiencën e tyre në BBVA me një raport të afërt, por gjatë lojës marrëdhënia mes tyre ndryshoi dhe të dy u kthyen në kundërshtarë të fortë. Në fund, ata përfunduan përballë njëri-tjetrit edhe në dyshen finale, me Selin që u shpall fituese dhe Mirin në vendin e dytë.
Sot, Miri thotë se nuk mban inate. Por për një eventuale dasmë të Selin, përgjigjja mbetet e njëjtë: fillimisht duhet të vijë ftesa.



