5 gra të vrara çdo 1 orë nga partneri/ familjari në 2025

Nga Class• 25 November 2026

5 gra të vrara çdo 1 orë nga partneri/ familjari në 2025

Rreth 47 mijë gra dhe vajza u vranë qëllimisht gjatë vitit 2025 nga partnerët ose anëtarë të familjes së tyre. Shifrat tronditëse janë bërë publike në një raport të ri të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) dhe UN Women, i cili vë në dukje se shtëpia vijon të mbetet vendi më i rrezikshëm për gratë dhe vajzat.

Sipas raportit, nga 78 mijë gratë e vrara gjatë vitit 2025 në mbarë botën, rreth 60% u vranë nga partneri ose një anëtar i familjes. Kjo do të thotë se mesatarisht pesë gra humbin jetën çdo orë, ose 129 gra çdo ditë, si pasojë e dhunës brenda marrëdhënieve intime dhe familjes.

Të dhënat tregojnë se ky fenomen mbetet një problem i përhapur në të gjitha rajonet e botës, pa asnjë veçanti ku gratë dhe vajzat të jenë plotësisht të sigurta nga femicidi.

Afrika regjistron shkallën më të lartë të vrasjeve të grave nga partnerët ose anëtarët e familjes, me 2.9 viktima për 100 mijë banorë femra. Ajo pasohet nga Amerika me 1.4 viktima, Oqeania me 1.1, Azia me 0.6 dhe Evropa me 0.5 viktima për 100 mijë banorë femra.

Drejtoresha Ekzekutive e UNODC-së, Monica Juma, thekson se këto shifra janë dëshmi e një realiteti alarmant, të ushqyer nga qëndrimet diskriminuese, normat shoqërore dhe mungesa e mekanizmave efektivë të mbrojtjes.

“Për një kohë shumë të gjatë, kemi parë statistika alarmante. Qëndrimet e frikshme, normat shoqërore dhe dështimi i masave mbrojtëse institucionale krijojnë një mjedis në të cilin vrasja e një gruaje, vajze, nëne ose motre bëhet ‘e tolerueshme’. Ndryshimi i këtij realiteti kërkon veprime të qëndrueshme në të gjitha nivelet e shoqërisë”, deklaroi Juma.

Vrasja e grave rrallë herë është një akt i izoluar. Për shumë gra dhe vajza, është akti i fundit në një model të gjatë dhune, kërcënimesh dhe abuzimi që mund të ishte ndaluar. Megjithatë, duke u përballur me pengesa të konsiderueshme, shumica e grave që përjetojnë dhunë fizike ose seksuale nuk kërkojnë kurrë ndihmë nga anëtarët e familjes, komunitetet e tyre apo autoritetet. Shumë prej tyre mbeten pa mbrojtje, ndërsa autorët i shpëtojnë drejtësisë, duke bërë që cikli i abuzimit të vazhdojë dhe rreziku për jetën e grave të mbetet i lartë.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon