Bella Hadid nuk e la të kalojë pa reagim atë që shumëkush e quajti “një nga casting-et më të çuditshme” të sezonit. Pas shfaqjes së fundit të Dolce & Gabbana në Javën e Modës në Milano, supermodelja reagoi në Instagram me tone të ashpra, duke e quajtur markën “të turpshme” dhe duke vënë në pikëpyetje pse njerëzit vazhdojnë ta mbështesin.

Nxitësi i debatit ishte një video e publikuar nga komentatori i modës Elias Medini (Lyas), i cili kritikoi përbërjen e pasarelës së koleksionit të meshkujve, duke thënë se dukej si “fifty shades of white” një mënyrë ironike për të theksuar mungesën e dukshme të diversitetit te modelet. Në komente, Bella shkroi se është e pabesueshme që një kompani e tillë ende gjen mbështetje, duke e shtrirë kritikën jo vetëm te marka, por edhe te gjithë zinxhiri pas saj: modelet, stilistët, casting-u, “e gjithë puna”.

Komenti i saj u shpërnda me shpejtësi dhe mori dhjetëra mijëra pëlqime. Më pas, ajo e thelloi edhe më shumë qëndrimin: sipas saj, kjo nuk është një gafë e rastit, por një histori e gjatë “vite me radhë racizëm, seksizëm, fanatizëm, ksenofobi” dhe pyetja e saj ishte e drejtpërdrejtë: “Si jemi ende të habitur?”

Debati u përhap edhe mes njerëzve të industrisë. Stilistë dhe editorë të njohur u rreshtuan në të njëjtën linjë kritike, duke thënë se problemi nuk është vetëm një pasarelë e një nate, por normalizimi i sjelljeve dhe zgjedhjeve që përsëriten, sepse industria shpesh mbyll sytë për interesa dhe reklamues. Edhe figura të tjera publike reaguan shkurt, me ironi, ose me përçmim.

Kjo valë zemërimi nuk vjen në vakum. Dolce & Gabbana ka pasur prej vitesh përplasje të bujshme me publikun, ku janë përmendur akuza për stereotipe, deklarata të papranueshme dhe sulme personale ndaj personazheve të njohur. Megjithatë, pavarësisht këtij “bagazhi” të gjatë polemikash, marka vazhdon të jetë e pranishme fort në tapetin e kuq dhe në bashkëpunime me yje të mëdhenj gjë që e bën reagimin e Bella Hadid edhe më të fortë në thelb: jo vetëm “çfarë bëri marka”, por “pse industria dhe publiku vazhdojnë ta shpërblejnë”.