Në një intervistë të ndjerë për Vanity Fair, kantautori me origjinë shqiptare, Ermal Meta, ndau një pjesë të panjohur të jetës së tij: ai është babai i dy vajzave të cilat i ka njohur në një jetimore në Shqipëri dhe që së shpejti do t’i bashkohen familjes së tij në Itali.
Një histori që tejkalon kufijtë e zakonshëm të prindërimit – jo përmes gjakut apo dokumenteve ligjore, por përmes një zgjedhjeje të vetëdijshme për të dashur.
“Për vite me radhë kam menduar se nuk doja fëmijë, sepse kisha frikë se mos bëhesha si im atë. Nuk doja të riprodhoja atë model”, rrëfen Ermali. Nga frika për të mos përsëritur plagët e fëmijërisë së vet, ai arriti në një përballje të bukur me dashurinë e pakushtëzuar.
Ai dhe partnerja e tij Chiara njohën dy vajza shqiptare kur ato ishin 15 vjeç, por ligjërisht nuk mund t’i adoptonin pasi nuk ishin të martuar. Sot, vajzat janë pranë moshës madhore dhe do të mund të transferohen përfundimisht në Itali. “Por, po ju them, ato janë vajzat tona prej tre vitesh”, thotë Ermali, i emocionuar.
Një nga episodet më prekëse të rrëfimit është për vajzën më të mbyllur, e cila nuk e pranonte afërsinë. “E kuptova menjëherë çfarë traume kishte… Një ditë, kur po largohej, u kthye, nuk tha asgjë – vetëm më vendosi kokën në gjoks. Aty unë u bëra babai i saj.”
Ermali flet me dhimbje dhe për një moment ndarjeje të përkohshme: një verë, vajzat u larguan për disa javë dhe shtëpia ra në heshtje. “Fillova të qaj si fëmijë. U mbylla në banjë sepse ndieja dhimbje.” .
Në momentin kur vajzat mësuan se Chiara ishte shtatzënë me vajzën e tyre Fortuna, reagimi ishte i përmbajtur: “Në jetimore, kur vijnë çifte, vajzat më të mëdha rrinë gjithmonë në një cep, sepse e dinë që askush nuk i zgjedh.” Por Ermali kishte një përgjigje të vetme dhe të qartë: “Po unë ju dua.”
Ai e përmbyll rrëfimin me një nga deklaratat më të forta:
“Nuk është statusi civil ai që të bën një prind të mirë, por dashuria.”
Sot, shtëpia e tij është gati, dhomat janë të përgatitura dhe dashuria – ajo që shëron, rrit dhe zgjedh – i pret me dyer hapur.