Këshilli i Ministrave ka vendosur që dita e shtunë, 26 prill, të shpallet ditë zie kombëtare në shenjë respekti për Papa Françeskun. Qeveria ka vendosur që në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.

VENDIMI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës së Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Shpalljen ditë zie kombëtare ditën e shtunë, datë 26.4.2025, në shenjë dhimbjeje, respekti e mirënjohjeje për Atin e Shenjtë, Papa Françesku, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje.

Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.

Ftohen të gjitha stacionet radiotelevizive, publike dhe private që gjatë ditës së zisë kombëtare të transmetojnë muzikë funebër.

Ngarkohen të gjitha institucionet shtetërore dhe publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Papa Françesku ndërroi jetë më 21 prill në moshën 88-vjeçare. Papa, i cili ishte peshkop i Romës dhe kreu i Kishës Katolike, u bë Papë në vitin 2013 pasi paraardhësi i tij Benedikti XVI dha dorëheqjen. Arkëmorti i Papa Françeskut është i vendosur në Bazilikën e Shën Pjetrit. Besimtarët dje, sot dhe nesër do të mund të nderojnë trupin e papës së ndjerë deri në mesnatë, ndërsa të premten do të lejohet prania e besimtarëve katolikë në kishë deri në orën 19.00.

Të shtunën, menjëherë pas funeralit, trupi i papës argjentinase do të varroset në kishën e Santa Maria Maggiore, pranë stacionit qendror të trenit të Romës, në përputhje me dëshirën e shprehur nga vetë "papa i të varfërve" në testamentin e tij. Duhet theksuar se shumë besimtarë që ndodheshin në sheshin e Shën Pjetrit, duke folur para gazetarëve shprehën dëshirën që procesi i kanonizimit të Françeskut të nisë sa më shpejt. Siç kishte ndodhur, pra pas vdekjes së Gjon Palit II, pikërisht njëzet vjet më parë.

Papa Françesku do të jetë Papa i parë në më shumë se një shekull që nuk do të varroset në Vatikan, në kriptin e Bazilikës së Shën Pjetrit, por në vend të kësaj do të vendoset të prehet në Bazilikën e Shën Marisë Major të Romës. Papa kërkoi gjithashtu që të varrosej në një arkivol të thjeshtë prej druri, ndryshe nga paraardhësit e tij që u varrosën në tre arkivole tradicionale të bëra nga selvi, plumbi dhe lisi.