George Clooney dhe bashkëshortja e tij Amal Alamuddin janë gati të rrëzojnë një nga thëniet më të famshme për çiftet: “Dashuria nuk është e bukur, nëse nuk ka zënka.” Por kjo nuk vlen për ta — një nga çiftet më të bukura dhe më të harmonizuara të Hollywood. Aktori i njohur ka zbuluar se, në më shumë se dhjetë vite martesë, nuk është grindur kurrë me bashkëshorten e tij. Asnjëherë një debat, asnjëherë një përplasje.
“Unë dhe Amal kemi qenë këtu me ty edhe një herë tjetër dhe mbaj mend që thamë se nuk kishim pasur kurrë një debat dhe ende nuk kemi pasur,” tha aktori 63-vjeçar gjatë një interviste në CBS Morning më 21 prill. Dhe shtoi: “Ende po përpiqemi të gjejmë një arsye për t’u zënë.”
Ylli i kinemasë dhe avokatja e të drejtave të njeriut, 47 vjeç, janë martuar në vitin 2014. Në vitin 2017 u bënë prindër të dy binjakëve, Ella dhe Alexander. Por as zgjerimi i familjes nuk e ka vënë në provë lidhjen e tyre. Përkundrazi, George Clooney është gjithnjë e më shumë i dashuruar me gruan që ka në krah. Dhe dëshiron ta përsërisë këtë sa herë të mundet. “Ndjehem jashtëzakonisht me fat që kam takuar këtë grua të jashtëzakonshme. Ndjehem sikur kam fituar lotarinë. Nuk kalon asnjë ditë pa u ndjerë njeriu më me fat në botë.”
Në vitin 2022, në CBS Morning, aktori kishte zbuluar se sekreti i martesës së tij është dashuria. Dhe pikërisht dashuria i bën të gjitha më të lehta. Edhe jetën në çift, duke e bërë martesën të duket “gjëja më e lehtë që kemi bërë ndonjëherë në jetën tonë. Nuk kemi pasur kurrë një debat.”
Çifti ka theksuar gjithashtu se takimi me personin e duhur varet, në 99% të rasteve, nga fati. Në një intervistë të mëparshme për New York Times, Clooney kishte rrëfyer se, kur e njohu Amalin, kishte frikë nga dyshimet e saj për shkak të diferencës në moshë. “Nuk mendoja vërtet se do të kisha ndonjë mundësi me të. Isha 17 vite më i madh dhe ajo dukej se kishte gjithçka që i nevojitej,” tregoi ai. Por dashuria, siç dihet, nuk njeh moshë. Dhe pas më shumë se një dekade nga ai “po”, George Clooney e shikon ende bashkëshorten me të njëjtin shikim si në ditën e parë. “Jam krenar që ndodhem në të njëjtën dhomë me të. Jam krenar që jam burri i saj. Jam krenar që jam babai i dy fëmijëve me të,” tha ai. Fjalë që vlejnë më shumë se çdo deklaratë dashurie.