Fotografi holandez Martin Roemers ka ndarë imazhin më personal të jetës së tij: një portret prekës i prindërve të tij të ndjerë, të cilët ndërruan jetë dorë për dore përmes vdekjes së asistuar në Holandë, më 1 maj 2024. Klaas dhe Fenny Roemers, të moshuar dhe në gjendje të rëndë shëndetësore, kishin vendosur të largoheshin nga jeta së bashku, duke refuzuar jetesën në një azil pleqsh dhe idenë e të jetuarit pa njëri-tjetrin.

Vdekja e asistuar është e ligjshme në Holandë, dhe prindërit e Roemers kaluan të gjitha vlerësimet mjekësore të nevojshme për ta bërë këtë hap. Ata patën edhe një darkë të fundit me familjen – një moment i thjeshtë dhe njerëzor që Martin e përshkruan me një ndjenjë të thellë pranimi dhe dhimbjeje.

Fotografia, e realizuar pak pas ndarjes së tyre nga jeta, ishte ide e diskutuar më parë me ta, dhe ata e kishin aprovuar. Rreth tyre, sipas dëshirës së nënës, ishin vendosur të gjitha fotografitë familjare. Roemers ndan se ndonëse për të fotografia përfaqëson humbje, shumë njerëz e kanë përjetuar si një imazh i bukur dhe paqësor.

Për Roemers, kjo foto është më shumë se një akt personal – është edhe një deklaratë për të kontribuar në debatin ndërkombëtar mbi dinjitetin në vdekje. Ai e publikoi për herë të parë këtë portret në The Guardian, duke e shndërruar në një reflektim të thellë për dashurinë, lirinë dhe fundin e jetës.

Burimi: The Guardian