Një studim i publikuar në vitin 2025 nga revista prestigjioze Alzheimer’s & Dementia ka dalë në përfundimin se personat e pamartuar – qofshin të divorcuar, të ve, apo që nuk janë martuar kurrë – janë ndjeshëm më pak të rrezikuar nga zhvillimi i demencës sesa bashkëmoshatarët e tyre të martuar.

Në një analizë që zgjati 18 vite dhe përfshiu më shumë se 24,000 të rritur të moshës nga 50 deri në 104 vjeç, studiuesit vërejtën se beqarët, veçanërisht ata që nuk ishin martuar asnjëherë, shfaqnin normat më të ulëta të demencës, sëmundjes së Alzheimerit dhe demencës me trupa Lewy.

Ajo që e bën këtë gjetje edhe më domethënëse është fakti se edhe pjesëmarrësit që në fillim të studimit kishin shenja të lehta të dëmtimit kognitiv, kishin më pak gjasa të përparonin drejt demencës nëse ishin të pamartuar.

Sipas studiuesve, ky fenomen mund të shpjegohet përmes disa faktorëve të mundshëm. Beqarët shpesh ndërtojnë lidhje më të qëndrueshme sociale jashtë shtëpisë, kanë një ndjesi më të fortë të vetë-mjaftueshmërisë, dhe janë të ekspozuar ndaj përvojave më të larmishme jetësore – elementë që mund të ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të trurit.

Ky studim sfidon perceptimet tradicionale mbi martesën dhe mirëqenien, duke hapur një dritare të re në të kuptuarit e lidhjes mes stilit të jetesës dhe shëndetit mendor në moshë të madhe.

Burimi: Psychology Today