Pas pjesëmarrjes së tij në fushatën elektorale të Partisë Socialiste krah kryeministrit Edi Rama, reperi i njohur Noizy ka konfirmuar publikisht se vota e tij shkon për socialistët. Përmes një postimi në InstaStory, ai është shprehur hapur në mbështetje të Ramës, duke e cilësuar të vetmin politikan që i ngjall besim.
“Shiko, po e them një herë e mirë se çfarë mendoj dhe besoj,” shkruan Noizy. “Familja ime dikur ishte me PD. Mirëpo unë personalisht kam kujtime dhe eksperienca jo të këndshme nga ajo periudhë, më kujton një rrëmujë, një errësirë, e as nuk dua ta imagjinoj të jetoj asnjë ditë si ajo kohë.”
Reperi shpjegon se nuk e njeh thellësisht programin e asnjë partie politike, por votën e tij e bazon në perceptimin që ka për individët që i përfaqësojnë. Sipas tij, askush tjetër përveç Edi Ramës nuk i ka fituar besimin.
“Unë shoh individët, kush drejton cilën parti dhe kush janë ministrat e deputetët e secilës parti. Dhe, a mund t’u besoj unë këtyre individëve t’u jap votën time për vitet e ardhshme? Deri tani, me të thënë të drejtën, s’ma mbush syrin askush përveç Ramës.”
Ai ironizoi edhe opozitën, duke e lidhur qëndrimin e tij me një nga sloganet e vjetra të vetë Partisë Socialiste: “Nuk e kemi luksin të shkojmë pas”.
Artisti shqiptar është gjithashtu autori dhe interpretuesi i këngës zyrtare të fushatës elektorale të PS për zgjedhjet e 11 majit 2025, duke e kthyer angazhimin e tij në një përfshirje të plotë në këtë garë elektorale.
Kjo nuk është hera e parë që Noizy shfaqet pranë socialistëve. Ai është parë edhe më herët përkrah Erion Veliajt, kryebashkiakut të Tiranës, duke forcuar më tej lidhjen e tij me këtë forcë politike.