Rreth dy javë pas lindjes së vajzës së saj me ish-partnerin Machine Gun Kelly, Megan Fox duket më e qetë dhe – siç e përshkruajnë miqtë e saj – “më e lumtur se kurrë në vitet e fundit”.
Aktorja 38-vjeçare, e cila është tashmë nënë e katër fëmijëve, duket se ka përqafuar me gjithë qenien e saj rikthimin në fazën më të butë e të ndjeshme të jetës: atë të mëmësisë. “Ajo ndjehet e rifreskuar,” u shpreh një burim pranë saj për Us Weekly. “Gjithmonë ka dashur periudhën kur fëmijët janë të vegjël dhe e ka ndjerë mungesën e asaj faze.”
Megan dhe reperi Machine Gun Kelly, emri i vërtetë i të cilit është Colson Baker, mirëpritën vajzën e tyre në mars, në një kohë kur marrëdhënia e tyre kishte hyrë në një fazë të pasigurtë. Të ndarë, por jo krejtësisht larg njëri-tjetrit, dyshja që dikur quante veten “shpirt binjakë” po përpiqet të gjejë një mënyrë të re për të ecur përpara si prindër.
Sipas burimeve të afërta, MGK është përfshirë plotësisht në kujdesin për të bijën. “Ai është i pranishëm 100 për qind, kujdeset për të dyja, për Megan dhe për vajzën. Kjo e ka befasuar Megan-in dhe i ka ndryshuar disi këndvështrimin për të. Po mendon nëse ndoshta ekziston ende një mundësi për të dy,” u shpreh një tjetër burim.
Në rrjetet sociale, Kelly e bëri të ditur ardhjen në jetë të vogëlushes me një postim poetik: “Ajo më në fund erdhi! Fara jonë qiellore.” Më vonë, ai sqaroi se emri i vajzës nuk është Celestial Seed, siç u spekulua, por se do ta zbulojnë kur të jenë gati.
Megjithëse aktualisht nuk jetojnë bashkë, Megan po lejon ish-partnerin të qëndrojë me të dhe foshnjën. Ata nuk kanë vendosur ende një plan të mirëfilltë bashkëprindërimi, por për momentin kanë zgjedhur të shijojnë këtë periudhë delikate dhe të bukur, larg dramave dhe larg syve të botës.
Nga ana tjetër, Fox, që është edhe nënë e tre djemve nga martesa e saj me aktorin Brian Austin Green, duket më e qetë dhe më e mbushur shpirtërisht se kurrë më parë. “Shokët e saj nuk e kanë parë kaq të lumtur prej vitesh. Ajo po shkëlqen,” tha një burim për revistën.
A është lindja e vajzës një fillim i ri për Megan dhe Colson? Apo thjesht një kapitull i ri në jetën e tyre të ndarë? Për momentin, nuk ka përgjigje të qarta.