Mbrëmjen e djeshme në shown më të ndjekur televiziv u përballëm me një fotografi që nuk duhet të ekzistonte: një aktore legjendare që i flet kombit të vet nga një azil.
Tinka Kurti, zonja fisnike e skenës shqiptare, e stolisur me lavdinë e një jete të tërë në shërbim të artit, sot i kalon ditët në qetësinë e një shtëpie të moshuarish.
U trondit në komb i tërë nga pamjet e Parashqevi Simakut. Por, Parashqevitë janë shumë. Janë të shpërndara nëpër harresa, të fjetura në kujtime të pluhurosura, të lëna pas nga një shoqëri që s’di të kujdeset për të mëdhenjtë e saj, përveçse në nekrologji.
Ky është një dështim kolektiv. Një diagnozë e heshtur e një shoqërie që nuk di ç’të bëjë me të mëdhenjtë e vet, veçse t’i qajë në përvjetorë.
Ky është faji i një shteti që nuk ka ndërtuar asnjë politikë dinjiteti për ata që kanë mbajtur gjallë shpirtin tonë kolektiv. Nuk kemi teatro dinjitoze, nuk kemi pensione që të ruajnë dinjitetin, nuk kemi institucione që të mbajnë mbi supe hijet e bukura të historisë.
Qeveria hesht. Ministria hesht. Akademia e Arteve hesht. Heshtin ata që garojnë për të bërë homazhe e për të recituar vargje mbi arkivole të ndritshëm.
Në Greqi, për shembull, ekziston një program shtetëror që mban të gjithë artistët e mëdhenj — të teatrit, muzikës, kinemasë — nën mbështetje të përhershme. Në Athinë, aktorët e vjetër kanë shtëpi të dedikuara ku jetojnë me kujdes të veçantë, me staf që njeh historinë e tyre, me aktivitete që i mbajnë në kontakt me brezat e rinj, me dinjitet dhe krenari. Në Francë, ekziston “Maison des artistes” që ofron pension special për figurat e kulturës dhe artit, që shpesh nuk kanë pasur të ardhura të qëndrueshme, por që kanë qenë themeli shpirtëror i kombit. Në Itali, shumë komuna u japin titullin e “Qytetarit të Nderit” artistëve të tyre të mëdhenj, dhe bashkë me këtë, sigurojnë strehim, përkujdesje dhe përfshirje aktive në jetën publike.
Në Shqipëri, Tinka Kurti jeton në azil. Ne tronditemi për disa ditë, pastaj kthehemi në kafen tonë, në jetën tonë, në indiferencën tonë. Sepse ne jemi një vend që emocionohet shpejt dhe harron akoma më shpejt. Një vend që kujton me lot, por nuk vepron me përgjegjësi. Një vend që përdor figurat e mëdha për retorikë kombëtare, por nuk ka një plan të qartë për dinjitetin e tyre njerëzor.
A është ky fati që u rezervojmë të mëdhenjve tanë?
Tinka Kurti nuk është në azil sepse nuk ka fëmijë, miq, ose një shtëpi. Ajo është aty sepse shteti shqiptar nuk ka një politikë dinjitoze për figurat e mëdha. Mungon një ligj për mbrojtjen e figurave të shquara në art, mungon një fond emergjence për artistët e braktisur, mungon një shtëpi dinjitoze që të mbajë emrin e saj dhe të strehojë kolegët e saj. Mungon një shtet që e kupton se kujdesi për të mëdhenjtë nuk është lëmoshë, por borxh historik. Dhe nëse ky shtet nuk e bën këtë për Tinkën, për të gjithë “të mëdhenjtë” tanë, atëherë çfarë mbetet për të vegjlit?
Nëse s’kemi mësuar ende se një komb pa kujtesë është një komb pa të ardhme, ja ku keni Tinkën. Jo për të qarë me lot të bukur në Instagram, por për të kuptuar që më keq se vdekja është harresa e organizuar, ajo që nis me heshtje institucionale dhe përfundon me dhoma të vogla në azile pleqsh.