Diferencimi është mbijetesë. Dhe universi këmbëngul që ju të jeni... tipikë.
Ky është letra ime e fundit drejtuar aksionerëve, si CEO i Amazon. Por përpara se të mbyll këtë kapitull, dua të ndaj me ju diçka që, sipas meje, ka rëndësi jetike. Shpresoj që i gjithë Amazon – çdo individ në këtë organizatë – ta marrë seriozisht këtë mesazh dhe të frymëzohet prej tij.
Po ndaj me ju një pasazh nga libri i jashtëzakonshëm i Richard Dawkins, The Blind Watchmaker (“Orëndreqësi i verbër”). Bëhet fjalë për një fakt themelor të biologjisë:
“Largimi nga vdekja është diçka për të cilën duhet të punosh. Nëse e lë pas dore – dhe pikërisht ky është çasti kur ndodh vdekja – trupi ka prirjen të rikthehet në ekuilibër me mjedisin përreth. Nëse matni temperaturën, aciditetin, përmbajtjen e ujit apo potencialin elektrik në një trup të gjallë, do të vëreni se ai ndryshon nga mjedisi që e rrethon.
Trupat tanë, për shembull, zakonisht janë më të ngrohtë se ambienti përreth, dhe kur moti është i ftohtë, ne duhet të punojmë shumë për të ruajtur këtë diferencë. Kur vdesim, kjo përpjekje ndalon, dallimi i temperaturës zhduket, dhe trupat tanë bëhen njësoj si ambienti.
Asnjë kafshë nuk përjashtohet nga nevoja për të luftuar për të ruajtur një farë diference nga ambienti – të gjitha punojnë, në mënyra të ndryshme, për ta bërë këtë. Në një klimë të thatë, kafshët dhe bimët angazhohen për të ruajtur lagështinë e qelizave të tyre, duke luftuar kundër prirjes natyrore që uji të avullojë. Nëse dështojnë, vdesin.”
Ky fragment nuk është shkruar për të qenë një metaforë – por është një metaforë e jashtëzakonshme për Amazon. Dhe për çdo kompani. Dhe për secilin prej nesh.
Në sa mënyra përpiqet bota t’ju bëjë më “normal”?
Sa përpjekje kërkohen për të ruajtur origjinalitetin tuaj?
Sa energji duhet për ta mbajtur të gjallë atë që ju bën ju?
Njoh një çift të lumtur që bëjnë shpesh një shaka në marrëdhënien e tyre. Herë pas here, burri e sheh gruan dhe i thotë me një buzëqeshje:
“A nuk mund të ishe thjesht... normale?”
Qeshin të dy, sepse e vërteta është se ai e dashuron pikërisht për veçantinë e saj. Por, nga ana tjetër, është po aq e vërtetë që ndonjëherë gjërat do të ishin më të lehta – do të kërkonin më pak përpjekje – nëse ajo do të ishte pak më “normale”.
Ky tension është i pranishëm në çdo nivel të jetës sonë. Demokracia, për shembull, nuk është “normale”. Nëse shohim historinë, tirania është norma.
Nëse nuk do të përpiqeshim çdo ditë për të ruajtur ato që na bëjnë të veçantë – si individë apo si institucione – shumë shpejt do të rrëshqisnim drejt mesatares, drejt një ekuilibri të ftohtë e të zakonshëm.
Të jesh i veçantë ka vlerë të jashtëzakonshme. Por kjo nuk ndodh vetvetiu.
Na mësojnë që të jemi vetvetja – dhe me të drejtë.
Por unë ju ftoj që këtë mesazh ta pranoni me një realizëm të thellë:
Të jesh vetvetja ka kosto.
Kërkon energji. Kërkon përkushtim të vazhdueshëm. Dhe nuk është kurrë rrugë e lehtë.
Bota përpiqet pa pushim të bëjë Amazon më “normale”. Të na zhysë në ekuilibër me mjedisin rreth nesh.
Ne duhet të përpiqemi pa u ndalur për ta ruajtur diferencën tonë – për të qëndruar të veçantë. Dhe kur e bëjmë këtë, jemi më të mirët.