Reperi i njohur G Bani ishte sot i ftuar në emisionin “Wake Up”, ku foli për përvojën e tij në Big Brother VIP Albania, largimin e papritur nga shtëpia dhe ndjenjat e tij për Danjën.
Duke komentuar daljen e tij të papritur nga Big Brother VIP, G Bani rrëfeu për situatën e ndërlikuar emocionale në të cilën u gjend kur iu kërkua të largohej për shkak të gjendjes shëndetësore të babait të tij.
“Më erdhi keq, sepse nuk e shpjegoj dot me fjalë çfarë situate emocionale kisha. Nga njëra anë ishte babi, nga ana tjetër po ikja nga një ambient me ndjenja shumë të forta. Do më mungonte shtëpia, do më mungonte një person aty brenda,” u shpreh ai.
Ai gjithashtu denoncoi publikisht ata që e fotografuan gjatë asaj periudhe të vështirë, duke e cilësuar këtë gjest si të pamoralshëm dhe të papranueshëm.
“Sa të poshtër ca njerëz që i bëjnë ca foto si paparacë. Është ofenduese, është kriminale. Ta shikosh që kisha atë hall që kisha dhe ta kesh mendjen të më bësh foto. Është falcitet.”
G Bani foli hapur edhe për marrëdhënien e tij me Danjën, duke pranuar se brenda shtëpisë kishte ndjenja të forta për të, por pas daljes gjithçka ndryshoi.
“Do më merrte malli për Danjën. Isha i dashuruar kokë e këmbë me të. Tani nuk jam më. Reflektoj dhe shikoj shumë shpejt se çfarë po ndodh. Jam i dashuruar me të qenit në dashuri. Më inspironte, ishte muza ime, e ushqeja unë këtë gjë. Dola nga dashuria shumë shpejt,” tha ai.
I pyetur për të dashurin e Danjës, G Bani tha se nuk ka pasur asnjë komunikim të drejtpërdrejtë me të, por familjarët e tij janë kontaktuar për të qetësuar situatën.
“Nuk kam pasur komunikim. Ai ka kontaktuar familjarë të mitë dhe ka kërkuar që të mbarojë kjo gjë. Ka qenë komunikim njerëzor, korrekt. Të ishte ndryshe, do ishte marrë vesh,” tha ai.