Një gjykatë në Paris ka shpallur fajtoren lideren e ekstremit të djathtë Marine Le Pen për keqpërdorim të fondeve të Bashkimit Europian, duke e ndaluar atë që të mbajë poste publike për pesë vitet e ardhshme.

Sipas Euroactiv, Le Pen u dënua me katër vjet burg, nga të cilat dy u pezulluan, ndërsa pjesën tjetër do ta vuajë në shtëpi me një kyç elektronik. Gjithashtu, ajo u gjobit me 100 mijë euro.

Liderja e Rassemblement National u shpall fajtore për përvetësimin e 474,000 eurove, të përdorura për të paguar katër asistentë fiktivë gjatë kohës kur shërbente si eurodeputete (2004-2017).

Gjyqtari Bénédicte de Perthuis theksoi se Le Pen ka qenë në qendër të një sistemi përvetësimi, i cili devijoi fondet e BE-së për të financuar partinë e saj ndërmjet viteve 2004 dhe 2016. Në cilësinë e presidenteve të partisë (2011-2016), ajo akuzohet për bashkëpunim në përvetësim të një shume që arrin në 1.8 milionë euro.

Gjykata dënoi gjithashtu 23 anëtarë të tjerë të partisë, përfshirë deputetë, punonjës dhe ndihmës, ndërsa Rassemblement National u gjobit me 2 milionë euro, nga të cilat 1 milion u pezullua. Partia u urdhërua gjithashtu të paguajë 4.4 milionë euro dëmshpërblim në Parlamentin Europian.

Ndërsa gjykata pranoi se asnjë nga të akuzuarit nuk kishte përfituar personalisht nga skema, ajo nënvizoi se fondet e keqpërdoruara kanë përfituar partinë, duke “minuar parimet demokratike” dhe duke dëmtuar “besimin e votuesve francezë”.

Me efekt të menjëhershëm, Le Pen është shpallur e papërshtatshme për të mbajtur poste publike, pavarësisht nga mundësia e apelimit. Ajo u largua nga salla e gjyqit përpara se vendimi të shpallej zyrtarisht.