Nga Dojna Mema
Adolescence është seriali më i ri në Netflix, që po thyen jo vetëm rekordet e shikueshmërisë, por dhe indiferencën tonë ndaj një moshe duket sikur nuk e kuptojmë dot.
Dikur fëmijët rriteshin me përralla. Sot, ata rriten me algoritme. Ekrani është bërë lodra e parë, shoku i ngushtë, dhe mësuesi i fshehtë. Dhe ne, të rriturit, shpesh e kuptojmë shumë vonë se çfarë u ka “mësuar” rrjeti.
Për ata që nuk e kanë parë akoma, Adolescence është historia e një 13 vjeçari në dukje si gjithë të tjerët, i bullizuar online, dhe që më pas bëhet vrasës. Historia e këtij djali 13-vjeçar që kryen një akt të tmerrshëm pas një procesi të heshtur radikalizimi online është një pasqyrë e jetëve tona që na tmerron, por nuk duhet të na çuditë.
Sepse, të dashur të rritur, ky djalë mund të jetë kushdo, fëmija që luan në dhomën tjetër, nxënësi që nuk flet shumë në klasë, djali që ka nisur të shfaqë shenja të çuditshme në rrjetet sociale. Dhe nuk ka nevojë ta radikalizojë Isis-i. Mjafton një algoritëm që të njeh më mirë se vetja, dhe të ushqen çdo ditë me përmbajtje që të deformon ngadalë.
Ne akoma presim nga shkolla të edukojë, kur vetë nuk i kemi dhënë mësuesve as kohë, as mjete, as mbështetje psikologjike. Ne akoma themi “e kanë fajin prindërit” pa pyetur veten se kush i edukon prindërit për epokën digjitale?
Nuk mjafton më të themi “ku janë prindërit.” Duhet të pyesim: ku është shteti? Ku janë platformat që nuk mbajnë përgjegjësi? Ku janë politikat që parashikojnë edukimin mediatik dhe digjital nëpër shkolla? Dhe sidomos: ku jemi ne të gjithë, si komunitet, përpara se të jetë tepër vonë?
Radikalizimi online nuk ndodh në një ditë. Por shkatërron një jetë në një sekondë. Dhe pas çdo titulli tragjik, ka një histori të gjatë heshtjeje, mungese vëmendjeje, dhe një hallkë që nuk ka funksionuar. Kjo hallkë mund ët jetë prindi, mësuesi, media, apo çfarëdo institucioni.
Tani është koha për të zgjuar të gjitha hallkat. Të ndërtojmë një dialog të ri, jo vetëm për “çfarë ndodhi,” por për “çfarë po ndodh.” Dhe të mos kemi frikë të flasim me fëmijët tanë — sepse nëse nuk flasim ne, do flasë dikush tjetër. Fëmijët tanë nuk janë fajtorët e një kohe që nuk e kuptojnë. Janë viktimat e një bote që po ndryshon më shpejt se sa ne po reagojmë.