Samsung Electronics njoftoi të martën se bashkë-CEO i kompanisë, Han Jong-hee, ka ndërruar jetë pas një ataku në zemër. Han ishte 63 vjeç. Han drejtonte divizionin e elektronikës së konsumit dhe pajisjeve mobile të Samsung, ndërsa bashkë-CEO Jun Young-hyun mbikëqyr sektorin e çipave të kompanisë më të madhe të Koresë së Jugut.
Një zëdhënës i Samsung tha se Han ndërroi jetë në spital të martën, ku po trajtohej pas një ataku kardiak. Ende nuk është vendosur një pasardhës për postin e tij.
Kohët e fundit, Samsung ka përjetuar rënie të fitimeve dhe të vlerës së aksioneve, pasi ka mbetur pas rivalëve në prodhimin e çipave të avancuar të memories dhe në prodhimin e çipave me kontratë, sektorë që kanë përjetuar një kërkesë të lartë për shkak të projekteve të inteligjencës artificiale. Gjithashtu, Samsung ka humbur edhe vendin e parë në tregun e smartfonëve, duke ia lënë Apple-it.
Han, i cili iu bashkua Samsung Electronics gati 40 vite më parë, e ndërtoi karrierën e tij në biznesin e televizorëve. Në vitin 2022, ai u bë nënkryetar dhe CEO i Samsung Electronics dhe ishte gjithashtu anëtar i bordit të kompanisë.
Javën e kaluar, ai drejtoi mbledhjen e aksionerëve të Samsung, ku ai dhe ekzekutivë të tjerë u kritikuan ashpër nga aksionerët pas dështimit të kompanisë për të përfituar nga buma e inteligjencës artificiale, gjë që e bëri atë një nga aksionet më të dobëta të sektorit të teknologjisë vitin e kaluar.
Në sektorin e gjysmëpërçuesve, Samsung është prapa SK Hynix në prodhimin e çipave HBM, të cilët janë të domosdoshëm për njësitë grafike të përpunimit të AI, si ato të Nvidia.
“Para së gjithash, kërkoj sinqerisht falje që performanca e fundit e aksioneve nuk ka përmbushur pritshmëritë tuaja. Gjatë vitit të kaluar, kompania jonë nuk arriti të përgjigjej siç duhet ndaj tregut të shpejtë të inteligjencës artificiale në sektorin e gjysmëpërçuesve,” kishte thënë Han.
Ai ishte planifikuar të merrte pjesë në një event të Samsung për prezantimin e pajisjeve të reja shtëpiake të mërkurën.