Turqia na ofron disa mësime të rëndësishme mbi epokën që po përjetojmë. E para është se për liderët autoritarë – ata që nuk i durojnë kufizimet e demokracisë – herët a vonë vjen momenti i një zgjedhjeje të pashmangshme: ose e pranojnë me përbuzje sistemin demokratik, ose dalin prej tij dhe hyjnë në një tjetër terren, atë të diktaturës.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e bëri këtë zgjedhje të premten, më 21 mars, kur miratoi arrestimin e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, vetëm dy ditë përpara se ai të paraqitej në zgjedhjet paraprake të partisë së tij, CHP, për të nisur përgatitjet për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. Imamoglu akuzohet për korrupsion, terrorizëm dhe krime financiare – por detajet nuk kanë rëndësi, pasi bëhet fjalë për akuza të fabrikuara për ta nxjerrë jashtë loje.
Erdogan nuk mund të kandidojë më në vitin 2028, pasi është në pushtet që nga viti 2003 dhe ka ezauruar kufizimet kushtetuese për mandatin presidencial. Por Kushtetuta, natyrisht, mund të ndryshohet.
Mësimi i dytë që na jep Turqia është se abuzimi i hapur me pushtetin nuk është shenjë force, por një tregues i qartë i dobësisë së regjimit. Erdogan ka bërë gjithçka për ta diskredituar dhe ndalur Imamoglun. Madje, ka arritur deri aty sa t’i revokojë diplomën universitare, duke pretenduar se ai kishte kaluar në mënyrë të parregullt nga një universitet në tjetrin në vitin 1990 – një “zbulim” i bërë plot 35 vjet më vonë.
Pa diplomë, Imamoglu nuk mund të kandidojë për president. Por përdorimi i forcës dhe represioni janë mjeti i fundit i atyre që ndihen të kërcënuar. Përpjekjet e Erdogan-it për ta eliminuar politikisht vetëm sa e kanë bërë Imamoglun më popullor. Njerëzit e votuan atë në zgjedhjet paraprake, edhe pse ishte në burg dhe i shpallur i papërshtatshëm për të kandiduar. Dhe ata do ta votojnë përsëri në zgjedhjet presidenciale, qoftë edhe vetëm për t’i dërguar një mesazh sfidues Erdogan-it.
Një video e Imamoglusë në rrjetet sociale, ku ai rregullon me qetësi këmishën dhe kravatën ndërsa pret arrestimin, është një dëshmi e forcës së tij të brendshme. Ndërsa akti i Erdoganit konfirmon atë që shumëkush e di tashmë: ai e di që nuk mund të fitojë më një garë të ndershme. Ai mund të shtypë protestat me forcë, por nuk mund të rikthejë popullaritetin e tij të dikurshëm.
Mësimi i tretë nga Turqia është se politikat ekonomike “kreative” të liderëve autoritarë thjesht nuk funksionojnë, pavarësisht sa fort ai që drejton përplas grushtin në tryezë. Për vite me radhë, Erdogan besonte se mund ta kontrollonte inflacionin me politika krejt të kundërta nga ato që rekomandojnë ekonomistët. Realiteti e ka treguar të kundërtën.
Edhe pse inflacioni dhe rritja ekonomike kishin nisur të stabilizoheshin disi, vala e fundit e represionit pritet ta përkeqësojë situatën. Lira turke po bie në raport me dollarin, inflacioni, ndonëse në rënie, vazhdon të jetë në nivelin 40% (krahasuar me 2.3% në eurozonë) dhe ka gjasa të rritet përsëri për shkak të tensioneve politike. Gjithashtu, bursat pritet të përjetojnë një goditje të re.
Turqia ka përfituar shumë nga ndryshimi i ekuilibrave në Lindjen e Mesme, veçanërisht pas rënies së papritur të regjimit të Bashar al-Assad në Siri. Ajo mbetet një aleate kyçe e vendeve perëndimore brenda NATO-s. Megjithatë, as rëndësia gjeopolitike dhe as fuqia ushtarake nuk mund të garantojnë stabilitetin që vetëm një demokraci funksionale dhe e shëndetshme mund të ofrojë.
Turqia sot është një pasqyrë për botën. Dhe ajo që po ndodh atje duhet të jetë një paralajmërim për SHBA-në dhe çdo vend tjetër që zgjedh një “njeri të fortë” në pushtet.