Një koncept i pazakontë në botën e mikpritjes po sfidon idenë tradicionale të një hoteli. Zero Real Estate, një projekt nga Null Stern Hotels (që në gjermanisht do të thotë “zero yje”), po tërheq udhëtarë që kërkojnë një përvojë unike dhe jashtë çdo norme.

Ky projekt u krijua nga artistët konceptualë Frank dhe Patrik Riklin së bashku me eksperin e mikpritjes Daniel Charbonnier. Ai lindi si një pop-up hotel në vitin 2017 dhe synon të ofrojë një përvojë të pastër, të zhveshur nga luks i zakonshëm, duke i vendosur vizitorët në mes të natyrës, nën qiellin e hapur.

Në vend të mureve dhe tavanit, Zero Real Estate ofron një krevat komod në mes të peizazheve mahnitëse të Zvicrës. Ky nuk është eksperimenti i parë i kësaj natyre për Null Stern Hotels. Në vitin 2008, marka bëri bujë me krijimin e një hoteli brenda një bunkeri bërthamor në Sevelen, Zvicër. Ai u prezantua me sloganin “hoteli i parë me zero yje në botë”, duke theksuar se përvoja nuk qëndron tek luksi, por tek vetë vizitori. Me kalimin e viteve, projekti u shndërrua në konceptin aktual “Null Stern – ylli i vetëm je ti”, duke e bërë përvojën e udhëtarëve qendrën e gjithë eksperimentit.

Zero Real Estate nuk është për të gjithë. Ai kërkon një frymë aventure dhe një dëshirë për të përqafuar të papriturën. Për ata që kërkojnë të largohen nga dhomat e zakonshme të hoteleve dhe të zhyten në natyrë me një dozë arti dhe koncepti, ky është vendi ideal.

Me këtë qasje të guximshme dhe të pazakontë, Null Stern Hotels vazhdon të sfidojë industrinë e mikpritjes, duke ofruar përvoja që nuk mund të përjetohen askund tjetër.

A do të guxonit të flinit në një dhomë pa mure nën qiellin e hapur? ?