Të duash dikë për atë që ai ose ajo nuk është, mendoj se, kjo është një metoforë e vet gjendjes sonë të vështirë si qenie. Shumë shpesh, kur ne dashurojmë dikë, ne nuk e pranojmë personin për atë që ai ose ajo është në të vërtetë. Ne e pranojmë personin nëse ai ose ajo përputhet me koordinatat e fantazisë sonë. Ne e identifokojmë atë në mënyrë të gabuar, prandaj ndodh që, kur ne zbulojmë se e kishim gabim, shumë shpejt dashuria mund të kthehet në dhunë.
Nuk ka asgjë më të rrezikshme dhe më vdekjeprurëse për njeriun që duam sesa ta duash atë sikur të ishte diçka tjetër dhe jo për atë që ai ose ajo është në të vërtetë. Në këtë rast, dashuria gjithmonë sakrifikon dashurinë. Këtu nuk kemi vetëm endacakun si një figurë që shpaloset brenda vet narrativës së filmit, i cili ekspozon veten ndaj vajzës që ai dashuron, por ai është në të njëjtën kohë Çaplini si aktor dhe si regjizor, i cili ekspozohet përpara nesh, publikut. ‘Unë nuk kam turp. Unë po ju ofrohem juve, por në të njëjtën kohë, kam frikë.’
Gjenialiteti i vërtetë i Çaplinit qëndron në mënyrën se si ai ka qenë i aftë që të inskenonte këtë moment psikologjik të pranimit në nivelin e formës, muzikës, aspektit pamor, dhe në të njëjtën kohë, edhe në nivelin e interpretimit. Kur dy duar takohen, më në fund vajza e shikon atë për njeriun që ai është në të vërtetë. Ky moment është gjithmonë ekstremisht i rrezikshëm dhe patetik.
Njeriu i dashur del jashtë kornizës së koordinatave të idealizuara, i cili më në fund qëndron aty i ekspozuar, në lakuriqësinë e vet psikologjike. ‘Ja ku jam, ashtu siç jam, në të vërtetë.’ Dhe nuk mendoj se, kjo duhet lexuar si një fund i lumtur, sepse ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Përpara nesh shfaqen gërmat, ‘Fund’, një ekran të zi, por kënga vazhdon sikur emocioni tani të ishte shumë i fortë duke tejkaluar çdo kornizë.
Burimi: https://www.youtube.com/watch?v=2Xm8ATMLMJE