Nga Krishnamurti
‘Parfumi i një luleje është vet lulja. Lulja në vetvete është thelbi i atij parfumi.’
Duhet të ndaleni dhe të bëni pyetjen (nëse nuk jeni shumë të lodhur) se çfarë është të mendosh? Ndoshta këtë pyetje nuk e ka bërë askush. Shumë pak njerëz e bëjnë këtë. Mos prisni që t’ju përgjigjem unë. Shikojeni...Vëzhgojeni... Të mendosh është pjesë e kujtesës apo jo? Hetojeni këtë gjë me folësin dhe mos qëndroni aty të rehatuar apo të parehatuar.
Të mendosh është pjesë e kujtesës. Nëse ne nuk do të kishim kujtesë, a mendoni se do të ishim të aftë që të mendonim? Jo, nuk do të ishit. Truri ynë është instrumenti i kujtesës; kujtime mbi gjëra që kanë ndodhur, që ne i kemi përjetuar dhe kështu me rradhë. I gjithë sfondi i kujtesës...’psikika’, që është ajo ‘unë’ dhe kjo ‘unë’ është imazhi që unë kam ndërtuar rreth vetvetes dhe këtu nuk ka asgjë shpirtërore.
Ja edhe një fjalë tjetër e shëmtuar – shpirtërore. Përvoja, dija, kujtesa dhe përgjigjja e kujtesës është mendimi. Përvoja është gjithnjë e kufizuar në mënyrë natyrore dhe kjo është një pyetje e komplikuar sepse, o Zot, çdo gjë ëhtë e komplikuar. A është përvoja e ndryshme nga përjetuesi i saj? Përdorni trurin tuaj për ta zbuluar këtë! Nëse nuk do të kishim një përjetues, a do të kishim përvojën? Një përjetim?
Sigurisht që, jo. Kështu, përvoja dhe përjetuesi, janë e njëjta gjë, ashtu si, vëzhguesi dhe i vëzhguari, janë e njëjta gjë. Mendimtari nuk është i ndarë nga mendimet. Mendimtari është mendimi! Kur e shikoni këtë fakt, këtë aktualitet, vetëm për ta vëzhguar atë tek vetvetja dhe jo që t’i largoheni realitetit të saj, apo nga e vërteta e saj; që ta mbash, që të qëndrosh me të dhe jo që t’i largohesh atij.
Dhe jo ta racionalizosh – që ja është kështu apo ashtu! Pasi të keni bërë këtë është njësoj si të mbani një xhevahir të çmuar në duart tuaja dhe do të shikoni të gjithë bukurinë e atij xhevahiri. Dhe atëherë, do ta kuptoni vet se frika, psikologjikisht, përfundon nuk ekziston më. Dhe kur nuk ka frikë, ju do të jeni të lirë.
Përzgjodhi dhe përktheu nga anglishtja – Enkeleda Suti