Të marr fymë, të flasë, të eci, të jem ky Zot i pabesueshëm që jam, mrekullia e gjërave, edhe ajo e gjërave më të vogla, ajo që është shpirtërore tek gjërat, unë i këndoj diellit në mëngjes dhe pasdite, dhe si tani në perëndim...dridhem dhe mallëngjehem nga bukuria dhe nga mençuria e tokës, dhe nga të gjitha gjërat që rriten mbi tokë, dhe besoj se, një gjethe bari nuk është më pak sesa një ditë punë yjesh, dhe them se natyra është e përjetshme, gëzimi është i përjetshëm, nuk shikoj asnjë papërsosmëri në univers, nuk shikoj asnjë kauzë ku rezultati, në fund, të jetë i keq, dhe pyetjes që përsëritet...çfarë ka të mirë në gjithë këtë?

Përgjigjja është që: ti je këtu, që jeta ekziston, që ti je gjallë, që ky spektakël i magjishëm vazhdon dhe se ti mund të kontribuosh në të me vargun tënd, dhe sepse dashuria ‘puthet’ me kuptimin e të gjitha gjërave, lumturia...po, lumturia...kërkojeni, çdo ditë, në vazhdimsi, madje kushdo që më dëgjon tani...le të vihet në kërkim të lumturisë, tani...në këtë çast, sepse e keni, është me ju, sepse na e kanë dhënë të gjithëve neve, na e kanë dhënë me pika kur kemi qenë të vegjël, dhe kjo është një dhuratë kaq e bukur, saqë ne e kemi fshehur, ashtu siç bën qeni me kockën, dhe disa prej nesh e kanë fshehur kaq mirë saqë nuk e mbajnë mend se ku e kanë fshehur, por e kemi, e keni...kontrolloni në çdo vend, në çdo sirtar, në çdo cep të shpirtit tuaj, hidhni çdo gjë në ajër, dhe do ta shikoni që do të dalë.

Lumturia ekziston, duhet të mendojmë gjithmonë për lumturinë dhe nëse ndonjëherë ajo na harron ne, ne nuk duhet ta harrojmë kurrë atë deri, në ditën e fundit të jetës sonë...duhet t’i themi po jetës, duhet ti themi jetës një PO kaq të plotë, saqë të ketë forcën që të përmbysë të gjitha JO-të...dhe ajo që kuptojmë është që ekziston një mister i madh dhe se duhet ta marrim jetën ashutu siç është dhe se ajo që na bën më shumë përshtypje në botë është jeta...jeta që ecën përpara dhe që nuk kuptohet se si ia del...po, si ia bën që reziston?

Por, si i duron të gjitha këto?

Edhe ky është një mister i madh dhe se ka kuptuar ende askush...sepse jeta është shumë më shumë sesa ajo që mund të kuptojmë ne...prandaj ia del të rezistojë...nëse jeta do të ishte vetëm ajo që kuptojmë ne, do të kishte përfunduar shumë, shumë kohë më parë, dhe ne e kuptojmë që nga çasti në cast mund të na ndodhë diçka e pafundme...jini të lumtur, dhe mbani mend lumturia nuk duhet të kushtojë shumë, sepse nëse kushon shumë nuk është e një cilësie të mirë...dhe për të transmetuar lumturi, duhet të jesh i lumtur...edhe për të transmetuar dhimbje, duhet të jesh i lumtur...jini të lumtur...duhet të kuptoni, të vuani, mos kini frikë nga vuajtja..e gjithë bota vuan...

Burimi: https://www.youtube.com/watch?v=amq9_jwFNFs