Ky imazh i Njeriut Vitruvian, e marrë nga vizatimet e Leonardo-s, është kthyer në një nga simbolet më të njohura të Rilindjes. Por, përse? Ai është një vizatim i thjesht me laps dhe me bojë, apo jo? Gabim!

Le të fillojmë t’i përgjigjemi kësaj pyetje me një problem matematikor. Unë e di se si ta llogaris sipërfaqen e një rrethi. Marr vlerën e pi-së dhe e shumëfishoj me rreze në katror. Gjithashtu unë di se si të llogaris edhe sipërfaqen e një katrori. Shumëfishoj bazën me vetveten. Por, si mund ta marr sipërfaqen e një rrethi dhe të krijoj një katror me një sipërfaqe të barabartë? Ky është një problem që shpesh quhet “katrorizimi i një rrethi” që është propozuar për herë të parë në botën antike. Dhe si shumë ide të botës antike, iu dha një jetë e re gjatë Rilindjes. Siç rezulton, ky problem është i pamundur për t’u zgjidhur për shkak të natyrës së pi-së, por kjo është një histori tjetër.

Vizatimi i Leonardo-s, i cili është frymëzuar nga shkrimet e arkitektit romak, Vitruvit, vendos një njeri të palëvizur përpara një rrethi dhe një katrori. Vitruvi pohonte se, kërthiza është qendra e trupit të njeriut dhe nëse marrim një kompas dhe e vendosim në një pikë të fiksuar në kërthizë, mund të vizatohet përsosmërisht një rreth rreth trupit. Për më tepër, Vitruvi kuptoi se, gjatësia e krahëve dhe e lartësisë kanë thuajse një përputhshmëri të përsosur në trupin e njeriut, duke e vendosur kështu trupin përsosmërisht brenda një katrori po ashtu. Leonardo i përdori idetë e Vitruvit për të zgjidhur problmemin e katrorizimit e një rrethi metaforikisht, duke përdorur njeriun si fushë/hapësirë për të dyja format.

Megjithatë, Leonardo nuk po mendonte vetëm për Vitruvin. Në Itali, në atë kohë ekzistonte një një lëvizje intelektuale e quajtur Neoplatonizëm. Kjo lëvizje mori një koncept të vjetër nga shekulli i 4-ërt i zhvilluar nga Platoni dhe Aristoteli, e quajtur “Zinxhiri i madh i qenies.” Ky besim mendon se, Universi ka një ngjashmëri hierarkike me një zinxhir, dhe ai zinxhir fillon me  Zotin në krye, pastaj zbret poshtë përmes ëngjëjve, planeteve, yjeve, dhe të gjitha formave të jetës përpara se të përfundojë me demonët dhe djajtë. Më herët në këtë lëvizje filozofike, mendohej se, vendi i njeriut në këtë zinxhir ishte saktësisht në qendër. Sepse njerëzit kanë një trup të vdekshëm, por të shoqëruar me një shpirt të pavdekshëm, ne e ndamë Universin në mënyrë të këndshme në dysh.

Megjithatë, në kohën kur Leonardo bëri vizatimin e Njeriut Vitruvian, një neoplatonist me emrin Pico Della Miradola kishte një ide të ndryshme. Ai e shkuli njeriun jashtë zinxhirit dhe deklaroi se, njerëzit kanë një aftësi unike për të marrë çdo pozicion që ata duan. Pico pohonte se, Zoti dëshironte një qenie të aftë për të kuptuar Universin e bukur dhe të ndërlikuar që ai kishte krijuar. Kjo çoi në krijimin e njerëzimit, ku ai e vendosi në qendër të Universit me aftësinë për të marrë çfarëdolloj forme që ai do të dëshironte. Njerëzimi, sipas Pico-s, mund të zvarritej poshtë zinxhirit dhe të sillej si një kafshë, ose të ngjitej sipër dhe të sillej si një Perëndi, është në zgjedhjen tonë.

Nëse kthehemi prapar dhe shikojmë vizatimin, ne mund të shikojmë që nëpërmjet ndryshimit të pozicionit të njeriut, ai mund të mbushë hapësirat e papajtueshme të një rrethi dhe të një katrori. Nëse gjeometria është gjuha sipas së cilës është shkruar Universi, atëherë duket që ky vizatim thotë se, ne mund të ekzistojmë brenda të gjithë elementëve.

Njerëzimi mund të mbushë çfarëdolloj forme që ai dëshiron gjeometrikisht, si edhe filozofikisht gjithashtu. Në këtë vizatim, Leonardo ishte i aftë të kombinonte matematikën, fenë, filozofinë, arkitekturën, dhe aftësitë artisike të epokës së tij. Nuk është çudi që ajo u kthye në një ikonë për të gjithë periudhën.    

Burimi:

https://www.youtube.com/watch?v=aMsaFP3kgqQ&list=PLJicmE8fK0Ej26EQOOyY5o0PYLZdnuaMK&index=4