Shqipëria do të luajë sot ndeshjen e dytë ndaj Andorrës në ‘Arenën Kombëtare’, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026. Në prag të kësaj sfide ku përfaqësuesja kuqezi do të kërkojë 3 pikët e para në grupin K, trajneri Silvinjo dhe kapiteni Berat Gjimshiti dolën në konferencën zyrtare për media.
Trajneri Silvinjo u shpreh se skuadra do të futet në fushë vetëm për të marrë tre pikët ndërsa theksoi se mund të ketë ndryshime në formacion. Tekniku theksoi se gjendja e lojtarëve është e mirë ndërsa nënvizoi se në takimin kundër Andorrës nuk duhet të ketë vend për gabime, pavarësisht vështirësisë.
Dy ndeshjet e fundit i kemi humbur duke mos treguar futboll. Çfarë presim nesër ndaj një kundërshtari më të lehtë në letër? – Fillimisht dua të shpreh ngushëllimet e mia për ndarjen nga jeta të gazetarit Saimir Demi. Përqafime familjes dhe forca! Futbolli është i vështirë. Përmirësohemi dhe rinisim. Nuk ishte e lehtë në Ëembley, trajnet i ri, një skuadër që ka lojtarët më të mirë në botë, fizikisht, teknikisht, taktikisht, psikologjikisht. Një skuadër që ka shkuar në finale të dy europianëve të fundit, kemi parë lojtarë të fortë, shumë të rëndësishëm, Premier Leagur ka një ritëm të jashtëzakonshëm. Por nuk ishim shumë mbrapa, nëse të jepnin një mundësi, mund të barazoje, nëse të lënë, fiton. Kemi qenë në lojë deri te goli i dytë, pas të dytit mbaroi ndeshja. Nëse nuk e përgatit mirë ndeshjen, ai ekip të vret, të shënon 5-6 gola në 45 minuta. Nëse shkon në Bernabeu apo Camp Nou të luash kundër Spanjës, duhet të kesh kujdes, sepse në 45 minuta të shënojnë 5-6 gola dhe shkon në shtëpi. Jam krenar për lojtarët, sepse kanë qenë aty deri në fund, deri nga minuta e 70-të, por pastaj çdo gjë u mbyll. Nga nesër kemi një rrugë në të cilën nuk duhet të gabojmë, nuk mund të gabojmë. Do të jetë një ndeshje e fortë dhe e vështirë. Kam parë ndeshjen e tyre ndaj Letonisë, çdo gjë ishte e barabartë, por ndeshja u vendos nga disa momente të vogla. Duhet të gjejmë hapësirat, gjë që nuk është e lehtë, në mënyrë që të kemi më shumë mundësi për të shënuar. Sot kemi një stërvitje pak më taktike për të gjetur pikërisht këto hapësira.
Është një ndeshje ndryshe në krahasim me Anglinë. E thatë që përdorët Uzunin, ngaqë kthehet në mbrojtje. Do shikojmë lojtarë të tjerë, do ketë ndryshime në formacion? Zgjedhja u bë për të përfituar më të mirën nga lojtarët. Nga një ndeshje në Ëembley ku mbrohet në hapësira të ngushta dhe rinisje. Ai të ndihmon shumë në fazën mbrojtëse, ka harxhuar shumë energji. Duhet të provonim diçka ndryshe atje, pasi dy mbrojtësit e qendrës ishin shumë të fortë. Mund të mendojmë të bëjmë ndryshime nesër, sepse është një strategji loje ndryshe. Tani në shtëpi është ndryshe.
Nesër do i duhet Shqipërisë të bëjë “Anglinë” – Futbolli është i vështirë por do të duhet të gjejmë hapësirat e duhura. Andorra është një ekip që mbrohet mirë, luan me skema 5-4-1. E njoh trajnerin e tyre, futbollistët luajnë me shumë grintë dhe pasion për fanellën. Do të bëjmë disa ndryshime në aspektin strategjik të lojës që të gjejmë hapësirat e duhura sepse e gjithë loja do të luhet për 40-50 metra. Janë një ekip që nisen mirë, kanë dhe një lojtar të mirë dhe shumë inteligjent që luan mirë me topin dhe në aspektin strategjik duhet të bëjmë ndryshime për të parë se si do të ecim.
Sa e vështirë është të përgatisësh sfidën e nesërme? – Mund të ketë ndryshime por në aspektin strategjik, jo domosdoshmërisht nga lodhja që i vjen një lojtari apo problematika fizike.Punojmë shumë me videot, kemi një stërvitje sot ku do të merremi me disa elemente taktike. Përdorim edhe videot individuale me lojtarët specifikë. Mund të kemi 2-3 ndryshime dhe nuk është e lehtë që të përshtasësh lojtarët për kaq pak kohë dhe të bësh këto ndryshime. Duhet të kalojmë nga një ndeshje ku duhet të mbyllnim hapësirat dhe të nisnim topin vetë, në një ndeshje ku duhet të krijojmë rastet për të qenë të rrezikshëm.
Gjendja e lojtarëve – Balliu dhe Aliji kanë pasur një ndeshje shumë të rëndësishme kundër Anglisë ashtu sikurse të gjithë lojtarët e tjerë dhe që kanë harxhuar shumë energji. Do të duhet të bëjmë vlerësimet e duhura nesër. Momentalisht duken shumë mirë dhe po rikuperohen. Sa i përket sulmit, ekzistojnë mundësitë për çdo gjë të mundshme, mund të ketë ndryshime ose jo. Kemi 2-3 mundësi. Por nesër pas drekës, do të komunikojmë me stafin dhe doktorët dhe duke komunikuar edhe me lojtarët do të marrim vendime.
Çfarë na duhet që të kthejmë entuziasmin dhe surprizën në skuadër? – Kualifikueset kanë mbaruar, tashmë është mbyllur ai kapitull. Edhe Nations League është një kapitull i mbyllur, kemi marrë 7 pikë. Ndërkohë që nisim një rrugëtim të ri dhe unë si trajner dhe stafi duhet të gjejmë një zgjidhje për të sjellë më të mirën në fushë. Nuk është gjithmonë e lehtë, sepse në këto kualifikuese vetëm ekipi i parë kalon në finale dhe i dytë përmes play-offit. Duhet bërë çdo gjë mirë. Lojtarët janë shumë entuziastë, por ne duhet të zhbllokohemi në mënyrë që të shënojmë gol. Kur nuk zhbllokohesh, është e vështirë ta fitosh ndeshjen. Mendoj se njerëzit në stadium do na sjellin shumë energji dhe nesër shpresoj që të bëjmë një ndeshje shumë të bukur për tifozët në stadium dhe ata që na ndjekin.
Faullat – Në futbollin e sotëm ka disa rregulla që UEFA i ka caktuar që çdo të shkojë ashtu si duhet, dhe faulli më i vogël penalizohet me karton të verdhë. Futbolli është një sport kontakti, ku me një faull një lojtar penalizohet dhe më pas je praktikisht i vdekur se me një faull tjetër mbaron loja. Unë nuk jam pro idesë antifutbollit, ku ka 2-3 lojtarë që ndalojnë çdo aksion të mundshëm. Jam në favor të futbollit sepse e tillë duhet të luhet loja. Gjatë Europianit kemi pasur një mbrojtje të mirë, pa pasur nevojë për të shkaktuar faull dhe ta ndalojmë lojën.
Disa lojtarë duken më superiorë se të tjerët në skuadër, e keni vënë re? – Unë ndjej që lojtarët e mi duan të bëjnë më të mirën me ekipin. Sigurisht ndonjëherë ti krijon një mundësi dhe ajo rezulton në gol, ndonjëherë krijon 10 mundësi dhe nuk arrin te goli. Varet nga momenti i lojtarëve dhe ndeshjeve. Kam mundësinë që të zgjedh nga 26 lojtarë që grumbullohen në total 23 dhe më pas të hedh në fushë 11 prej tyre. Dhe në përgjithësi vë lojtarët që janë më të mirë për të ndihmuar ekipin. Unë do të isha i pari që do i thoja faleminderit një lojtari të cilin do ta ndjeja që nuk është i gatshëm të jetë me ekipin. Iu kam thënë dhe në seancën e fundit me video që nëse duam që të arrijmë diçka të rëndësishme, nëse duam të realizojmë ëndrrën për të shkuar në Botëror duhet të sakrifikojmë shumë. Po ju jap një lloj informacioni ekstra në lidhje me këtë temë, me Ismajlin i cili pati një ripërsëritje të problematikës së tij fizike në stërvitje përpara se të arrinim në Londër dhe për fat të keq nuk arrin në 100% e tij që të jetë gati për nesër. Por ai ka një zemër të madhe, dëshiron të rrijë me ne. Por në këtë rast përgjegjësia më takon mua dhe stafit Teknik për të vendosur për lojtarin. Unë e pashë që u ndal para se të shkonim në Londër, kishte një problem të vogël, kthehet pak më mirë, nesër disi… Por e them që ai dëshiron të rrijë me ne 100%, por nuk është në maksimumin e tij. Ai ka dëshirë të rrijë me ne, por nëse ndjej ndonjë që nuk ka dëshirë, pa problem.
Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, tha se me Andorrën është një sfidë e vështirë, pavarësisht se në letër mund të duket e lehtë. Ai vlerësoi ekipin e Andorrës, duke shtuar se ka një trajner që punon prej shumë vitesh me skuadrën, por theksoi se Shqipëria duhet të krijojë hapësira dhe të vendosë kundërshtarin në vështirësi për të siguruar tre pikët. Gjithashtu, Gjimshiti theksoi se skuadra është 100% e fokusuar te ndeshja e nesërme për të marrë fitoren para tifozëve në “Arenën Kombëtare”.
A mund të konsiderohet si ndeshja e parë eliminatore ndaj Andorrës? – Unë për vete jo, edhe atë lojë e konsideroj si mundësi, siç ishte me Anglinë. Sigurisht pas rezultatit besoj që ju e mendoni kështu, por ne si ekip nuk e mendojmë ashtu. Ishte mundësi për ne, Anglia është ekip botëror, luan për të fituar tituj. Nesër do të jetë një ndeshje tjetër, shumë e vështirë. Është e rëndësishme që të gjithë të jenë të përqendruar te ajo ndeshje, sepse në letër ndoshta duket e thjeshtë, por në futbollin e sotëm nuk ka ndeshje të lehta. Duhet të përqendrohemi 100% nesër.
Andorra? – Unë besoj që ata kanë një përparësi që kanë një trajner prej shumë vitesh, një ekip që luan shumë vite bashkë. Besoj që vështirësia do të jetë në nivelin fizik, se janë shumë të përgatitur dhe qëndrojnë shumë poshtë si mbrojtje dhe duhet të jemi ne ata që duhet t’i vendosim në vështirësi, që t’i vendosim në duele individuale me sulmuesit tanë, që të krijojnë hapësira për shokët, ajo do të jetë pika kyçe.
Presioni te skuadra? – Besoj që në futboll në çdo ndeshje ke presion, është ndryshe nga sa mund të jetë me Anglinë, sepse nesër ne jemi favoritë. Duhet të përballohemi me këtë presion, se në letër është e thjeshtë, por nuk është aq e thjeshtë. Kam qenë dhe unë pjesë e atij barazimi 2-2, ku në dy raste në kundërsulm na shënuan dy gola. I dimë vështirësitë, por do të jemi gati.
Biseda me tifozët? – Besoj se është parë dhe në video se çfarë është kërkuar. Nuk duhet të them unë tani se çfarë më kanë kërkuar tifozët, besoj që duket edhe në video. Ka qenë një pyetje për biletat, besoj që do të marrin masat dhe do e kalojmë edhe këtë vështirësi. Por ne jemi gjithmonë falënderues nga mbështetja e tifozëve. Unë shpesh e kam thënë që janë tifozët më të mirë në botë. Te Kombëtaret nuk shihen tifozët që bëjnë kaq zhurmë në stadiume, vetëm në klube. Jemi gjithë falënderues për tifozët dhe shpresoj që do na përkrahin si gjithmonë. Jam i sigurt që do e bëjnë.
Ngërç psikologjik për të luajtur topin kundër ekipeve me emër? – Kombëtarja është ndryshe, se nuk je me atë që luan gjithë ditën dhe nuk e di lëvizjet që bën shoku yt afër teje. Është psikologjike, kundër Anglisë të fusin poshtë dhe kur e ke topin nuk je i freskët që të bësh fazën sulmuese. Kjo është gjëja më e rëndësishme që na mungoi me Anglinë.
A do të rikthehemi te fitorja me Andorrën në Arenën Kombëtare? – Shpresoj, por nuk është se jam unë tani dhe do të fitojmë ndeshjen. Puna ime e parë është mos të pësojmë gol, pastaj për të shënuar janë të tjerët që kanë më shumë cilësi se unë. Kemi mësuar nga ndeshjet në Nations League dhe kemi biseduar edhe me trajnerin, si gjithë ekipi. Sigurisht që do të përmirësojmë në këtë edicion për kualifikueset e botërorit. Besoj që nesër do të jetë një Shqipëri ndryshe. Përpara tifozëve tanë ti japim lumturi dhe fitore.
Shqipëria duhet të bëjë Anglinë ndaj Andorrës? – Është shumë e vështirë. Ndodh shpesh edhe nëpër klube që përballesh me dinamika të ndryshme. Është e vështirë, por besoj se janë të gjithë profesionistë, lojtarët me eksperiencë i japin dorë të rinjve ose që kanë pak ndeshje me Kombëtare. Nesër do të jetë një lojë ndryshe dhe përballimi me presionin duhet të jetë 100% se mund të pësosh me këto kombëtare të vogla dhe bën edhe më shumë dëm nëse ndodh diçka negative.