Chiara Ferragni po flet sërish për Fedez? Ndoshta, kush e di? Ajo nuk e ka përmendur drejtpërdrejt, por shumë kanë aluduar se ajo i drejtohet atij në një video të publikuar në TikTok.

Në videon e fundit të postuar në rrjetin social, influencerja dhe sipërmarrësja dha një “këshillë të vogël të pa kërkuar”, siç e theksoi edhe në mbishkrimin e saj: “Kur jeta bëhet një kaos i vërtetë dhe duket sikur gjithçka po shkon drejt greminës, gjëja që më ka ndihmuar më shumë, kur nuk dija nga t’ia nisja, ka qenë të nisja nga vetja.”

Por para se të shprehej për këtë temë, ajo tha një fjali që gjeneroi më shumë diskutime: “Kam aq shumë për të thënë dhe, herët a vonë, në një mënyrë apo tjetër, do t’i them.”

Pas shpërthimit emocional të disa muajve më parë në Instagram, ku ajo rrëfeu se ishte tradhtuar për vite nga Fedez dhe se e kishte zbuluar këtë vetëm kohët e fundit, Chiara Ferragni nuk kishte folur më hapur për fundin e martesës së saj, duke ia lënë të tjerëve vijimin e një rrëfimi gjithnjë e më intim dhe, për shumëkënd, tronditës.

Pavarësisht se kujt i drejtohej fjalia e saj në TikTok, përmes fjalëve të saj, Ferragni deshi t’i transmetonte ndjekësve të saj një mesazh më të gjerë: kapërcimi i momenteve më të errëta është i mundur duke u mbështetur te vetja dhe duke investuar në gjërat e vogla që të bëjnë të ndihesh mirë. Ajo përmendi disa shembuj: “Të pish shumë ujë, të stërvitesh, të shikosh një film që e di që do të të pëlqejë, të lexosh, të gjesh kohë për veten, të kalosh kohë me fëmijët e tu. Janë gjëra të vogla që i marrim si të mirëqena, por kur bëhen pjesë e rutinës, të japin një ndjesi përmbushjeje dhe të ndihmojnë të kalosh në një mendësi më pozitive. Kur gjithçka është një rrëmujë totale,” – përfundoi ajo – “nisni nga vetja juaj. Për mua ka funksionuar jashtëzakonisht shumë.”

Chiara Ferragni duket se më në fund ka marrë drejtimin e duhur. Pas skandalit të “Pandoro-gate”, ndarjes nga Fedez dhe krizës në biznesin e saj, sot ajo shfaqet më e sigurt se kurrë dhe e gatshme për të përballuar të ardhmen me vendosmëri. Në aspektin profesional, ajo ka marrë një mbështetje të rëndësishme financiare me rritjen e kapitalit të Fenice Srl me 6.4 milionë euro, ndërsa në jetën personale, duket se ka gjetur qetësinë në lidhjen e saj me Giovanni Tronchetti Provera.