Në “Big Brother VIP Kosova 4”, Olsa Muhameti është vendosur në qendër të një prej polemikave më të forta të këtij edicioni. Në një intervistë për “Një natë me Aulonën”, ajo ka folur hapur për çështjen që tronditi publikun: hyrjen e Atillës në të njëjtën shtëpi me ish-bashkëshorten e tij, Drenushën, pas akuzave të saj për dhunë.
Një vendim që ndezi reagime të ashpra, duke sjellë mbi produksionin akuzat e rënda për normalizimin dhe promovimin e dhunës. Por Olsa e mban qëndrimin e saj: situata e shqetësoi, por nuk e trembi.
“Nuk ishte e vërtetë ajo që transmetohej dhe unë nuk kisha frikë. U shqetësova, por nuk kisha frikë, sepse nuk ishte e vërtetë ajo që po thuhej.
Pra unë pashë dokumentet ligjore, ligjërisht Atilla nuk e kishte dhunuar Drenushën.
Në momentin që Drenusha nuk e kërkonte largimin e Atillës të gjitha palët ishim shumë okej.”
Por ndërsa produksioni flet për ligjin, Drenusha ka folur për plagët emocionale. Gjatë qëndrimit të saj në shtëpi, ajo ka rrëfyer pa rezerva se si divorci e ka tronditur në çdo aspekt të jetës, duke u kthyer në një betejë jo vetëm ligjore, por edhe personale.