Prej kohësh, televotimet në Big Brother VIP janë një nga temat më të diskutuara, jo vetëm mes fansave të spektaklit, por edhe në media. Akuzat për manipulime, ndikimi i sponsorëve dhe natyra reale e fitimeve nga votat me pagesë kanë qenë gjithmonë pjesë e debatit. Këtë herë, ka qenë vetë Olsa Muhameti, autorja e njohur e Big Brother VIP Kosova 2, e cila ka folur mbi këtë çështje në një intervistë për emisionin “Natën me Aulonën”.
Në bisedën me Aulona Mustën, Muhameti u pyet: “A ka dallavere me televotimet?”. Përgjigja e saj ishte e prerë: “Jo”, duke sqaruar se Big Brother VIP operon me një patentë ndërkombëtare dhe se votat nuk burojnë vetëm nga Shqipëria dhe Kosova.
Por ajo që surprizoi më shumë publikun ishte një detaj që rrallëherë është bërë publik: fitimet e televotimeve janë në shifra marramendëse. Një televotim i fortë – jo finalja, por një përballje e rëndësishme brenda lojës – mund të sjellë deri në 150,000€ – 200,000€ vetëm nga SMS-të e votuesve.